Është mbajtur takimi i parë i Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor.
Në këtë takim u fol për sigurinë në rrugë dhe veprimet konkrete që duhet ndërmarrë për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, para anëtarëve theksoi rolin e rëndësishëm të Këshillit në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, pasi që ky Këshill sipas mandatit nxjerrë akte juridike të cilat janë obligative për subjektet të cilave u adresohet.
Ai i informoi anëtarët e Këshillit për dobitë dhe ndikimin në siguri rrugore që do ti ketë Sistemi Inteligjent i Transportit (ITS-it), implementimi i të cilit planifikohet të ndodhë së shpejti.
“Themelimi i Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor është paraparë me Ligjin numër 05/L-088 për rregulla të trafikut rrugor, me propozim të Ministrisë së Infrastrukturës. Ky Këshill është themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin 10/71 të datës 23 tetor 2018. Sot po inaugurojmë një Këshill i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë në rrugë. Këshilli për Siguri të Trafikut Rrugor do të angazhohet sipas kompetencave për rritjen e sigurisë”, ka thënë ministri Lekaj.
E, Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian, ka thënë se themelimi i këtij Këshilli, për të parandaluar numrin e aksidenteve rrugore dhe uljen e shkallës së lartë të aksidenteve, është një iniciativë e qëlluar.
“Në fushën e transportit rrugor, siguria në komunikacionin rrugor është një nga çështjet më të diskutuara dhe më sfiduese . Të gjithë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar agjendën e konektivitetit dhe me këtë rast edhe ky Këshill dhe puna e këtij Këshilli gjithashtu do të përmirësojë dukshëm përmbushjet e obligimeve që dalin nga kjo agjendë për shtetin tonë, Kosovën”, është shprehur ministrja Hoxha.
Ajo tha se qëllim kryesor mbetët reduktimi i aksidenteve.
“Njëri ndër veprimet që është qëllimi bazë i këtij Këshilli është edhe përmirësimi i sigurisë rrugore, ku parashihet edhe synimi i reduktimeve të aksidenteve me 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Hoxha, raporton Ekonomia Online.
Isa Xhemajlaj, zv.ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se e përkrahin nismën për formimin e grupeve të ekspertëve për tejkalimin e problemeve në komunkacion dhe ka shprehur bashkëpunmin me të gjitha ministritë.
“Drejtori dhe Drejtoria e Policisë kanë marrë të gjitha masat që ky numër të vazhdojë të bie. Jemi të gatshëm për ofrimin e bashkëpunimit me MI dhe ministritë tjera përkatëse në mënyrë që të marrim hapat e nevojshëm për zvogëlimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së njerëzve në komunikacion”, ka thënë Xhamjlaj.
E, drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj, ka thënë se janë duke bërë gjithcka të mundur që të arrihet siguria në rrugë.
“Nuk mjafton vetëm ndërmarrja e policisë në çështjen e trafikut por ne duhet të fillojmë që nga edukimi në shkolla, prej ministrisë së arsimit dhe ministrive të tjera, pastaj kontrollat teknike… Policia e Kosovës do të bëjë maksimumin që të arrijë një gjendje më të mirë të sigurisë në rrugë”, ka thënë Qalaj.
Ky Këshill mund të themelojë grupe punuese në fusha përkatëse të përbëra nga ekspertë të ndryshëm, përfaqësues të organizatave OJQ, që mbrojnë interesat e shoqërisë në sigurinë rrugore, për të shqyrtuar dhe analizuar çështje të veçanta dhe për të dhënë rekomandime për rritjen e sigurisë rrugore.
Kryesuesi i këshillit do të raportojë përmes qeverisë së paku një herë brenda vitit, para kuvendit për sigurinë në trafikun rrugor.
Këshilli mund të nxjerrë akte juridike me qëllim të zbatimit të masave dhe veprimeve me qellim të rritjes së sigurisë së trafikut rrugor.
Këto masa do jenë të obligueshme për të gjitha institucionet dhe subjektet që u drejtohet.
Qeveria duhet të sigurojë mjete financiare për punën e këtij Këshilli dhe angazhimin e ekspertëve të jashtëm.