Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nënshkroi në Doha marrëveshjen e Shërbimeve Ajrore të Aviacionit Civil, me homologun e tij nga shteti i Katarit Sh.T. Jassim Bin Saif Al-Sulaiti.
Kjo marrëveshje hap rrugën për fluturimet direkte të “Qatar Airways” midis ANP “Adem Jashari” dhe “Aeroportit Ndërkombëtar të Dohas”. “Qatar Airways” tash e disa vite është zgjedhur kompania më e mirë në botë.
Në takim Lekaj e njoftoi homologun e tij për zhvillimet infrastrukturore në transportin ajror, rrugor dhe atë hekurudhor si dhe për projektet strategjike në të ardhmen. Ministri Al-Sulaiti shprehu gatishmërinë e shtetit të Katarit për përkrahjen e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Lekaj gjithashtu kërkoi përkrahje në shkollimin e pilotëve nga Kosova dhe stafit tjetër deficitar të aviacionit në “Kolegjin Aeronautik të Katarit”, i cili ka famë botërore. Kërkesa e Lekaj mori mbështetje të plotë nga homologu i tij, i cili u zotua që studentët e përzgjedhur nga Kosova për pilotë dhe profesione tjera në fushën e aviacionit, do të shkollohen në këtë kolegj me bursë të plotë nga Shteti i Katarit. Për këtë qëllim, së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje veçantë midis ministrave.
Ministrat gjithashtu u dakorduan që menaxhmenti i “Qatar Airways” të vijë së shpejti në Prishtinë për të bërë një studim fizibiliteti me qëllim të fillimit të fluturimeve të drejtpërdrejta midis Dohas dhe Prishtinës.
Në fund, Lekaj e ftoi homologun e vet nga Katari për një vizitë pune, e cila u pranua me kënaqësi që të realizohet së afërmi.