Lëndohen policë në ndeshjen mes Prishtinës e Trepçës

Prishtinë | 11 Dhj 2022 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku, njoftoi se janë lënduar policë të dielën në ndeshjen finale mes Prishtinës e Trepçës. Ai tha se se lëndimi i policëve është veprën i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Çeku shkroi në Facebook të dielën se palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat”, që kanë problem me vetëpërmbajtjen.

“Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen. Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës. Grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv dhe duke i shndërruar palestrat dhe fushat e sportit në ambiente të pasigurta për qytetarët sportdashës. Ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grupmoshat pa dallim. Huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre”, shkroi ai.

Sipas ministrit të MKRS-së, gjykatat dhe prokuroritë duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët.

Ai theksoi se të hënën do të mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës në sport, për ta trajtuar rastin e dhunës në ndeshjen e së dielës mbrëma.

“Policëve të Kosovës dhe të lënduarve të tjerë u dëshiroj shërim të shpejtë”.

Të ngjashme