Komisioni parlamentar për arsim, kulturë, rini, sport, inovacion dhe ndërmarrësi do të kërkojë nga UNESCO-ja që lahuta të mos njihet vetëm si instrument i serbëve, por edhe i shqiptarëve e popujve të tjerë.
Për këtë Komisioni ka nisur drejt Parisit një letër prej dy faqesh, ku jepen shpjegime se përse ky instrument u takon disa popujve.
Të martën letra i është dërguar Ambasadës së Kosovës në Paris, në mënyrë që Ambasada t’ia dërgojë organizatës në adresë të drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay.
Por ky reagim mund të shkojë në selinë e UNESCO-s më shumë se dy muaj prejse Serbia ia ka arritur qëllimit: “Të kënduarit me gusle” është regjistruar në emër të Serbisë. Miratimi i propozimit është marrë pas sesionit të trembëdhjetë të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, që u mbajt në Port Louis, Republika e Mauritit, prej 26 nëntorit deri më 1 dhjetor 2018, në Qendrën Ndërkombëtare të Konventës, Swami Vivekanada. Aty u vendos që “Të kënduarit me gusle” të merret nën mbrojtje.
Në letrën që Komisioni i Kuvendit ia ka përcjellë Ambasadës së Kosovës në Paris renditen disa fakte që dëshmojnë se lahuta është instrument i përdorur nga disa popuj.
Për këtë, Komisioni ka shkruar që është mbështetur në argumentimin e fuqishëm të ekspertëve të kësaj fushe nga Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe institucioneve të tjera në Shqipëri dhe Kosovë.
“Lahuta nuk shpreh identitetin kulturor të një populli të vetëm, në këtë rast atij serb. Lahuta është instrument i vjetër kardofon, ky instrument muzikor ka pasur përhapje në Evropë e jashtë Evropës. Edhe sot disa popuj e përdorin lahutën, me disa dallime nga njeri-tjetri. Dëshmi janë edhe emrat e saj nga disa gjuhë të popujve evropianë dhe aziatikë”, shkruhet në letër. Aty sqarohet se shqiptarët e përdorin lahutën në pesë shtete ballkanike: Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, Mal të Zi dhe Serbi. Sqarohet se te shqiptarët lahuta vlerësohet lart dhe ekziston edhe kulti mbi lahutën, ajo zbukurohet me gdhendjet e figurave të njohura mitike nga periudha e antikës, e kulturës ilire të figurës së gjarprit dhe të kokës së dhisë.