Kampioni i Kosovës, Feronikeli i ka mësuar emrat e kundërshtarëve në rundin preliminar në përpjekje për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Stadiumi Fadil Vokrri në Prishtinë do të jetë nikoqir i rundit preliminar për kualifikim në Ligën e Kampionëve nga 25 deri më 28 qershor.
Linkoln Red Imps, Santa Coloma dhe Tre Penne janë kundërshtarët e Feronikelit në këtë rund, shorti për të cilin do të hidhet më 11 qershor.
Nikli e fitoi dupletën vendore, duke e siguruar titullin në Superligë në ditën finale të kampionatit dhe Kupën e Kosovës pak ditë më parë.
Ky rund ka dy ndeshje gjysmëfinale dhe një finale. Fituesit e dy gjysmëfinaleve takohen në finale, ndërsa fituesi i këtij rundi kalon në rrethin e parë kualifikues.
Për ta arritur misionin e pamundur, kualifikimin në Ligën e Kampionëve, klubi nga Drenasi duhet ta kalojë këtë rund, pastaj tri runde të tjera kualifikuese dhe play-offin.