Procesi i hartimit të legjislacionit si dhe finalizimi i tyre, shpesh ka qenë objekt diskutimi.
Përveç aktualiteti të një numri të projektligjeve, mu kujtua një diskutim vite me parë kur një koleg, në një seri takimesh thoshte se procesi i hartimit të legjislacionit është çështje teknike.
Në një moment vendosa të diskutoja pak për “teknikën”, dhe ju pata drejtuar: Koleg i nderuar, ka disa herë që e thoni këtë gjë, ndonëse shumë e rëndësishme, megjithatë, ju e vlerësoni si teknike. Pastaj ia drejtova një pyetje (sigurisht retorike):
A di kur është çështje teknike?
Hartimi i ligjit është çështje teknike kur dikush i dikton (fjalë për fjalë), dhe dikush shkruan atë që i diktohet, pra, kjo që bën ky personi/zyrtari është çështje teknike, ndryshe është çështje kreative, dhe madje mjaft komplekse.
Çka (duhet) të synohet përmes një projektligji apo ligji të ri?
Sigurisht se bota e edhe ne si pjesë e saj, është dinamike dhe evoluon, prandaj edhe ligjet duhet të jenë në hap me kohën për faktin se ligjet rregullojnë raporte të caktuara shoqërore, e këto të fundit janë evolutive.
Në vendet tranzcionale, sikurse jemi ne, natyrisht se ndryshimet janë më të shpeshta, për faktin se sfidat e organeve ligj zbatuese, dhe jo vetëm, në jo pak raste determinojnë nevojën e ndonjëherë edhe domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore.
Pra, përmes ndryshimeve ligjore (qoftë ligjeve të reja, qofte ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjeve ekzistuese) synohet (së paku do të duhej), adresimi i sfidave dhe i vështirësive që hasën në praktikë, organet ligj zbatuese, dhe jo vetëm, reformimi i fushave apo sektorëve të caktuar, si dhe përfshirja e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Natyrisht, kjo e fundit për aq sa obligohemi si dhe gjithnjë duke u përpjekur që këto standarde të përshtaten në kontekstin lokal.
Transparenca dhe gjithë përfshirja në ligj bërje
Ligj bërja, nuk është proces teknik, të paktën, nuk duhet të kuptohet si i tillë, është proces kompleks, e për të qenë i suksesshëm, procesi i hartimit dhe finalizimit të legjislacionit duhet të jetë përveç se transparent edhe sa më gjithë përfshirës.
Transparenca, është parim që do të duhet ta shoqëronte punën e të gjitha institucioneve publike, pra, është rregull, kurse e kundërta e saj është përjashtim, e përjashtimet janë të rregulluara me legjislacion.
Kur jemi tek procesi i ligj bërjes, transparenca përveç që është e rregulluar me akte përkatëse që e rregullojnë procesin e hartimit të legjislacionit, këto dy parime (transparenca dhe gjithë përfshirja) organi i cili harton projekt-akte të caktuar, duhet të sigurohet që të jetësohen.
Gjithë përfshirja në procesin e hartimit të legjislacionit, nënkupton përfshirje sa me të gjerë të akterëve, e përfshirje nënkupton përveç prezencës në takime, edhe diskutime përmbajtjesore, si dhe reflektim (të organit përgjegjës për hartimin e projekt-aktit) në raport me palët përkatësisht propozimet e tyre.
Në kontekstin tonë, besoj se ndër vite kemi qenë dhe jemi me fat se kemi pasur prezencë të madhe ndërkombëtare e të cilat me ekspertizën e tyre i kanë ndihmuar shumë procesit të hartimit të legjislacionit, por tashme kësaj pa asnjë dyshim mund të themi se si vlerë e shtuar është edhe shoqëria civile, e cila në vendin tonë është storje suksesi.
Çfarë duhet bërë dhe kush është përgjegjës për dështimin e një nisme ligjore?
Organet e mandatuara për hartim dhe miratim të legjislacionit, përveç që janë përgjegjës dhe duhet të sigurohen që procesi të jetë transparent dhe gjithë përfshirës, ato duhet edhe të reflektojnë në raport me kërkesat apo sugjerimet, qoftë të akterëve që janë të kyçur direkt në proces të zbatimit të legjislacionit, e po ashtu edhe në raport me kërkesat dhe sugjerimet e partnerëve/miqve tanë si dhe të eksponentëve tjerë, duke përfshirë shoqërinë civile.
Mos reflektimi në raport me këto kërkesa, këshilla e sugjerime, në jo pak raste janë dëshmuar si mos reflektim me standardet ndërkombëtare dhe për rrjedhojë, ka rezultuar me dështim të nismës ligjore.
Përgjegjëse për dështime të tilla janë ata/ato që janë përgjegjës dhe të mandatuar për hartim/miratimin e ligjeve, ngase përveç se duhet të udhëhiqen nga parimet e cekura më lartë, duhet edhe të reflektojnë.
Formimi, kultura dhe ekspertiza për dijet dhe fushën e caktuar, duhet ta përmbajnë edhe komponentin e dëgjimit dhe reflektimit në raport me propozimin e tjetrit, duke evituar arrogancën gjatë hartimit të ligjeve.