Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, dy kundërshtarë të fortë e mosbesues të presidentit Hashim Thaçi, i kanë shkuar të hënën atij në zyrë, për të koordinuar veprimet përkitazi me përfaqësimin e Kosovës në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë. E, një Projektligj përcakton që ata t’i shkojnë pas presidentit në Bruksel.
Qeveria ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror dhe këtë dokument ia ka përcjellë Kuvendit për miratim, shkruan sot Koha Ditore.
Është neni 11 ai që saktëson raportin e Delegacionit shtetëror me institucionet kushtetuese. Sipas tij, presidenti do ta përfaqësojë Kosovën në proces, sa herë për këtë do të ketë ftesë nga lehtësuesja e dialogut. Krejt çka ndryshon krahasuar me herët e tjera të përfaqësimit, është se kreu i shtetit do t’i marrë me vete edhe Ahmetin e Limajn.
“Institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës do të angazhohen në dialog sipas mandatit të tyre kushtetues dhe gjithnjë me bashkërendim dhe me dakordim në mes të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës dhe Delegacionit Shtetëror”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 11 të Projektligjit. “Në rastet kur ndonjërit nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës (presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, etj.) i dërgohet ftesë formale nga ana e ndërmjetësuesit në procesin e dialogut, vendimi për të do të merret gjithnjë në bashkërendim dhe dakordim në mes të Delegacionit shtetëror dhe institucionit kushtetues të ftuar. Në çdo takim të tillë, përveç institucionit të ftuar të pranishëm do të jenë edhe bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror”.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pasur një interpretim për këtë normë.