Ligjet në fuqi po vlerësohen se janë hartuar në bazë të standardeve e duke marrë model shtetet më të zhvilluara. Për zbatimin e tyre në praktikë ka pasur shumë kritika.
Por profesori i Gjuhës Shqipe, Rrahman Paçarizi, thotë se ligjet në Kosovë kanë sintaksë të çoroditur, duke shtuar se gjuha e tyre duhet të jetë e kodifikuar për të treguar se cili është synimi, raporton Ekonomia Online.
Paçarizi nuk po e sheh si problem përdorimin e fjalëve të huaja, por ai vlerëson se në shumë raste ka paqartësi, saqë nuk lejon të kuptohet se çka në të vërtetë është synuar të rregullohet me atë ligj.
“Nuk është çështja te përdorimi i fjalëve të huaja, çështja e paqartësive qëndron te formulimi i fjalive të një sintakse krejt të çoroditur e cila nuk të lë ta kuptosh qartë se çka do të thotë një fjali e caktuar, një paragraf apo një nen i tërë në disa nga ligjet e Kosovës”.
“Mua mu deshtë të merrem këto ditë me ligjet për ta analizuar gjuhën kodifikuese dhe del që ajo gjuhë në ndonjë rast të caktuar ka paqartësi të tilla saqë nuk lejon të kuptohet se çka në të vërtetë është kodifikuar, se çka është rregulluar, çka është synuar të rregullohet me atë ligj”, ka thënë Paçarizi.
“Gjuha e ligjeve është gjuhë kodifikuese e cila duhet të jetë gjuhë krejtësisht e qartë dhe të lërë nëse jo fare atëherë sa më pak që është e mundur paqartësi dhe mundësi të interpretimeve të shumëfishta gjë që nuk ndodh me gjuhën me të cilën janë shkruar ligjet e Kosovës”.
Hartimi i ligjeve, shtoi ai, nuk është punë e thjeshtë, prandaj edhe duhet që t’u kushtohet rëndësi formulimit të fjalive në mënyrë që mos të ketë interpretime të ndryshme e mos të ndikojë në marrjen e vendimeve të ndryshme në gjykata për të njëjtën çështje.
“Nuk është punë shumë e thjeshtë, njerëzit që i hartojnë ligjet mund të jenë ekspertë të hartimit të ligjeve, por jo edhe ekspertë të gjuhës dhe për këtë arsye lihen kaq shumë mundësi të interpretimeve që nuk do duhej të ndodhte në asnjë mënyrë në rastet e ligjeve apo të dokumenteve të tjera të cilat kanë mundësi, shkallë të lartë të probabilitetit për t’u ballafaquar në gjyq, për t’u ballafaquar me interpretime të ndryshme”.
Paçarizi ka theksuar se defekti i paqartësisë së ligjeve nëse do të ishte nga përkthimi joadekuat atëherë sipas tij, ato do duhej t’u nënshtroheshin redaktimit gjuhësor, lektorimit dhe korrektimit.
“Defekti mund të jetë te përkthimi, që nëse është ashtu një përkthim i keq, por edhe në rastet e tilla ligjet do duhej t’u ishin nënshtruar redakturave gjuhësore, lekturave dhe korrekturave, sepse në praktikat juridike interpretimi gjuhësor pastaj vjen e bëhet interpretimi i fundit në rastet kur ka paqartësi të tilla”, ka shtuar ai.
Për të mos hasur paqartësi në ligjet dhe dokumentet zyrtare ai propozoi që të punësohen redaktorë në institucione të vendit, dukë thënë se hartuesit e ligjeve janë ekspertë të asaj fushe, por jo edhe të gjuhës.
“Për të dal nga kjo gjendje duhet të punësohen redaktorë gjuhësor dhe lektorë nëpër institucionet e Kosovës të cilët do të merren sistematikisht përgjatë gjithë fazave të hartimit të ligjeve dhe me rastet e finalizimit të ligjeve duhet t’u jepet edhe një dorë e redakturës gjuhësore dhe e lekturës, në mënyrë që të eliminohen krejtësisht paqartësitë”.