Ligji për Investime Strategjike rrit transparencën

Prishtinë | 15 Shk 2017 | 15:12 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se kompanitë më kredibile të cilat kanë dashur të investojnë në Kosovë, janë tërhequr për shkak të zgjatjes së procedurave të ndryshme.

Ndërsa, Kosova duhet të jetë shumë më atraktive në mënyrë që të krijojë edhe kushte në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Këto komente ministrja Bajrami i ka bërë në tryezën me temë “Ligji për Investimet Strategjike – Diskutim pas aprovimit”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se përmes Ligjit për Prokurim Publik po mundohen që të shkëpusin kontaktin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve nëpër divizione, pikërisht për ta luftuar korrupsionin.

Ministrja Bajrami, beson se përmes këtij ligji do ta rrisin transparencë në nivel më të lartë.

“Me Ligjin për Investime Strategjike ne besojmë se kemi ngrit në nivel shumë më të lartë transparencën. Ligji para së gjithash ju jep mundësi të njëjta edhe investitorëve të vendit edhe investitorëve të huaj dhe ka procedura shumë strikte për t’u kualifikuar si investitorë strategjikë. E para janë dy mundësi. Mundësia e parë është që një investitorë që ka ide për realizimin e një projekti strategjik që kualifikohet sipas kritereve duhet të shkojë dhe të dorëzojë kërkesën në KIESA”, ka thënë ajo.

Ministrja Bajrami, po ashtu ka theksuar se ka pasur dilema  dhe opinione të ndryshme rreth ligjit por ajo që ka munguar gjatë gjithë kohës kanë qenë propozimet për këtë ligj.  Sipas saj,  është dashur të ketë propozim konkret nga dikush që të thotë se kjo është mënyra e duhur për këtë ligj.

“Ne duhet të jemi të sigurt që investitori do ta përfundojë projektin në afat prej pesë vjetëve , gjithashtu na duhet dhe është kriteri që projekti duhet të filloj për gjashtë muaj. Ju i dini rastet kur ne përmes procedurave, përmes ligjit për partneritet publiko-privat për projekte të ndryshme kemi parë zvarritje me vite dhe në fund duke dashur të bëjmë transparencë e kemi pasur një ofertues, i cili e ka pasur një ide të shkëlqyer por nuk ka pasur mbështetje financiare”, tha ajo.

Ligji për investime përfshin shumë sektorë ka thënë ajo, duke shtuar se ky i fundit ka pësuar shumë ndryshime në Kuvendin e Kosovës .

“Sektorët janë këta energji, infrastrukturë dhe miniera minimum është 30 milionë, transport-telekomunikacion është 30 milionë, në turizëm 20 milionë, industri përpunuese 20 milionë, bujqësi dhe industri ushqimore 10 milionë, shëndetësi 30 milionë, parqe industrial dhe teknologji 10 milionë, administrim i ujërave të zeza 10 milionë…Unë po besoj se këtu ka transparencë dhe nuk ka nevojë askush me u firkësu dhe nëse keni dyshime që dikush mund të mbërrij një kabinet qeveritar me korruptu atëherë po besoj se duhemi me dalë të gjithë në rrugë dhe mos me i lënë njerëzit në pozita”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, ka theksuar se kanë kërkuar gjithmonë që të ketë fleksibilitet më të madh në negocimin e atyre që konsiderohen investitorë strategjikë.

“Ka qenë ndoshta kërkesë e kamotshme tek ne që të ketë fleksibilitet më të madh në negocimin e atyre që mund të konsiderohen si investitorë strategjikë dhe institucioneve qeveritarë në anën tjetër derisa kemi qenë të vetëdijshëm që korniza ligjore para tri apo katër viteve nuk ka theksuar një gjë të tillë atëherë rrjedhimisht edhe mbështetja jonë për një pjesë të legjislacionit qoftë ai edhe kapitull i veçantë në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike i cili do të realizonte negociatat në mes investitorëve potencial të mëdhenj ose strategjikë do të ishte diçka e pranueshme dhe  e mirëseardhur edhe nga ana jonë”, tha ai.

Projektligji për Investime Strategjike është miratuar më 11 tetor të vitit të kaluar me 57 vota për, 14 kundër dhe 11 abstenime. Ndërsa, në shkurt të këtij viti Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar si të papranueshme kërkesën e Listës Serbe për interpretimin e Ligjit për Investime Strategjike.

Të ngjashme