Ligji për mësimdhënësit e 90-tave do të kushtojë 16.7 milionë €

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 15:19 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zbatimi i Ligjit për mësimdhënësit e viteve 90-ta do t’i kushtojë buxhetit të shtetit më shumë se 16.5 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Ministria e Financave (MF) në një raport të përgatitur për këtë çështje thotë se zbatimi i Ligjit ka kosto nga viti 2018 deri në vitin 2020 saktësisht 16 757 476 euro.

Edhe zyrtari për buxhet në SBAShK, Ymer Imeri tha se për vitin 2018 zbatimi i Ligjit do të kushtonte 2.5 milionë euro ndërsa në vitin 2019 do të kushtonte mbi 6.5 milionë euro.

Këto komente ai i bëri në konferencë ku u njoftua me rrjedhën e grevës së sotme një-ditore si dhe hapat e mëtejmë për realizimin e kërkesave të tyre.

Por MF përmes një komunikate kishte deklaruar se për zbatimin e Ligjit nuk është planifikuar sipas ndarjes buxhetore për vitin 2018 dhe vlerësimeve buxhetore për vitet 2019 dhe 2020.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, tha se këto deklarime janë tendencioze dhe jo-korrekte.

“Reagimin e ministrisë së Financave e kemi lexuar me kujdes. Reagimi i MF ka qenë tepër tendencioz nuk është bë saktë ajo çfarë tha ai. Nuk ishte korrekte drejtimi i tij duke i thënë mësimdhënësve pse po bëni ju grevë për ata të viteve 90-ta”.

“Po i lus që tërë energjinë të mos e drejtojnë nga ne, por ta drejtojë nga Qeveria. Askush nuk ka të drejtë të na i ndaloj grevat . Është çështje e Qeverisë që të mendoj se po humbet mësimi përmes grevave”.

Jashari ka konfirmuar se grevës i janë bashkuar numër maksimal i institucioneve arsimore. Madje ai ka paralajmëruar se nëse deri më 13 prill nuk përmbushen kërkesat e tyre do të hyjnë në grevë për kohë të pacaktuar.

“Raportet që i kemi marr flasin se edhe grevës së sotëm i janë përgjigjur numri maksimal i sistemit të mësimit. Ajo që neve na bën më të fuqishëm se edhe ai numri i pakët që nuk janë bashkangjitur SBAShK i janë bashkangjitur me të drejta”.

“Jemi thellësisht të interesuar që të punojmë me institucionet gjegjëse me qëllim që kur ligji për pagat të shkoj në parlament sistemi arsimor ë mos jetë i degraduar siç ka qenë më parë. Si kërkesë e jona është që Qeveria të ndikoj në qeveritë lokale dhe të realizoj në tërësi kontratën kolektive”.

“Kemi kërkuar në Ligjin e punës të përfshihen idetë konkrete të SBAShK-ut. Nëse Qeveria nuk reflekton deri më 13 prill atëherë do të ketë grevë në tërë sistemin përfshirë edhe çerdhet. Jemi duke e përcjell me kujdes situatën”.

Edhe universitetet i janë bashkuar grevës e ka konfirmuar edhe Bardh Bardhi nga sindikata e universiteteve të Kosovës.

Ai tha se grevës i janë bashkangjitur të gjitha universitetet publike përveç atij të Gjakovës dhe Gjilanit për shkak se nuk janë pjesë e sindikatës.

Të ngjashme