Ndonëse në seancën e 28 shkurtit ishte paraparë të shqyrtoheshin 12 projektligje, vetëm dy prej tyre arritën ta marrin dritën jeshile. Sa iu përket projektligjeve të fushës së ekonomisë në rend të ditës ishin: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjit për miniera dhe minerale, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale, si dhe votimi i raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare. Këto projektligje nuk arritën t’i nënshtrohen votimit në mungesë të kuorumit.
Lidhur me këtë kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ligjvënësit, edhe përkundër që e kanë gojën me agjendën ekonomike, po tregojnë të kundërtën.
“Pavarësisht prej deklaratave të të gjitha institucioneve qeveritare, duke filluar nga presidenti, se agjenda ekonomike do të jetë prioritet, po rezulton e kundërta. Asnjë qeveri deri më tani nuk e kishte prioritet kryesor zhvillimin e vendit. Vetë fakti që nga 1.2 milion qytetarë janë në moshë pune, 350 000 apo vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të punësuar dhe nga 600 000 femra në moshë pune, janë të punësuara vetëm 12 për qind apo 88 për qind janë të papuna. Kjo tregon realitetin e rëndë në të cilin jemi”, ka thënë Krasniqi.
Safete Hadergjonaj, zëvendëskryetare e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, si dhe deputete nga radhët e PDK-së, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se, edhe pse bëhet punë e jashtëzakonshme në këtë komision, mospjesëmarrja pjesë e deputetëve në seanca po zvarrit agjendën ekonomike.
“Mund të themi se vëmendje u kushtohet projektligjeve për çështje ekonomike, sepse është bërë një punë e jashtëzakonshme në Komisionin për Buxhet dhe Financa në lidhje me reformën që ka marrë Qeveria, respektivisht Ministria e Financave sa i përket politikës fiskale, por e keqja është se nuk po mobilizohemi sa duhet në seanca plenare për t’i siguruar numrat”, ka thënë ajo.
Hadergjonaj, duke shtuar se edhe opozita duhet të jetë korrekte dhe të marrë pjesë në votim kur është në pyetje interesi i qytetarëve. “Mendoj se pozitë dhe opozitë duhet të jenë korrekte në këtë drejtim, duke e ditur se është interes i vendit dhe i qytetarëve që të votohen këto ligje. Në ditët që mbahen seancat është obligim i grupeve parlamentare që të mobilizohen për pjesëmarrje të deputetëve në seanca”, ka deklaruar Hadergjonaj.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar për gazetën “Epoka e re” se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke e shpërfillur punën e tyre.
“Jo vetëm ligjet që kanë karakter ekonomik, por të gjitha ligjet e tjera janë duke pasur problem që të miratohen, e sidomos të monitorohen në zbatim, pasi Kuvendi s’ka munduar ta kryejë punën karshi agjendës legjislative. Në qeverisjen e kaluar Kuvendi ka miratuar 75 ligje, që është numër i lartë nëse krahasohet me vitet parapake, por prapëseprapë s’kishte debat të mirëfilltë dhe kishte procedura të zvarritura”, u shpreh ai.
Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se neglizhimi i projektligjeve dhe çështjeve ekonomike nga ana e ligjvënësve është i qëllimshëm.