Likaj për fillimin e mësimit në veri: Vendimet e autoriteteve janë të njëjta për të gjithë qytetarët

Prishtinë | 02 Sht 2020 | 11:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit dhe Shkëncës (MASh), Ramë Likaj, tha se vendimi për shtyrjen e fillimit të procesit mësimorë vlen për të gjitha komunat e vendit, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, institucionet janë të informuara që komunat veriore kanë nisur mësimin edhe pse autoritetet qendrore kanë vendosur që një gjë e tillë të mos bëhet deri më 14 shtator.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës në shkollë “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Teksa komunat në veri të Kosovës kanë nisur mësimin nga distanca me vendim të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, Likaj ka thënë se vendimet e autoriteteve të Kosovës “vlejnë për të gjithë qytetarët e Kosovës njëjtë”.

“Ministria e Arsimit, Qeveria e Kosovës është Qeveri e të gjithë qytetarëve të saj. Ne kemi marrë informacione se ata kanë filluar mësimin online”.

“Kjo është politikë 20 vjeçare, e cila nuk është zgjidhur. Ne nuk e kemi shkopin magjik dhe jemi duke e bërë më të mirën edhe për ta”.

Likaj shtoi se para disa ditësh ka qenë në pjesën veriore të Kosovës dhe se në ditët në vazhdim do të vazhdojë vizitat.

Kurse kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, beson që mësimi do të nisë në datën e caktuar.

“Këto deklarata kanë qenë të lidhura me pyetjet që i kanë bërë mediet se çka nëse nuk bëhen përgatitjet. Përgjigja ka qenë natyrale, nëse nuk bëhen përgatitjet ne do të kishim dalë me një apel”.

“Jo vetëm në Prishtinë por edhe në komunat e tjera janë duke u bërë përgatitjet, dhe nëse vazhdon ky aktivitet, atëherë institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të gatshme”.

Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në komunën e Prishtinës tha se kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor me 14 shtator.

“Është nënshkruar kontrata dhe është në proces bartja e të gjitha materialeve te cilat janë të përfshira në udhëzuesit nga Ministria e Arsimit. Po ashtu kemi marrë informacione për numrin e nxënësve te cilët kanë probleme shëndetësore”.

“Janë pajisur shkollat me dezinfektues dhe janë duke u bartur pajisjet e tjera. Gjithashtu kemi bërë renovime gjatë periudhës së verës në 46 institucione edukativo-arsimore për të përmirësuar kushtet higjienike dhe sanitare në gjithë komunën e Prishtinës”.

Të ngjashme