Limaj i përgjigjet Thaçit nga Brukseli: Gara për taksën s’të bën nder

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Hashim Thaçi dje ka provuar që meritat për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, t’ua delegojë ish-bashkëpartiakëve të tij, Enver Hoxhaj e Kadri Veseli, duke thënë se ideja për atë vendim ishte e tyre.
Megjithatë, sot nga Brukseli, zëvendësi i Ramush Haradinajt, Fatmir Limaj, i ka dhënë një përgjigje, duke thënë se vendime të tilla nuk janë individuale.

Limaj ka thënë se politikat bëhen nga koalicioni qeverisës dhe vendimet për ato politika i merr kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Vendimet shtetërore janë vendime shtetërore. Nuk ka vendime e propozime individuale. Qeveria është atje e ka një kryeministër, e ka një qeveri, një koalicion. Politikat i bon koalicioni, vendimet i merr Qeveria”, ka thënë Limaj në konferencë para gazetarëve në Bruksel.

Sipas tij, kjo garë për të marrë meritat, si për dialog si për çështje tjera, nuk i bën nder askujt.

“Kjo garë dhe kjo logjikë e garës, si këtu për dialog, si atje. Për besë kërkun nuk na çojnë”, ka shtuar ndër të tjera Limaj.

Sa u përket deklarimeve të Hashim Thaçit të bëra në “Washington Post” se Kosova është gati ta shqyrtojë heqjen e taksës, Limaj e ka përsëritur edhe një herë që taksa do të hiqet vetëm pas një marrëveshjeje finale që rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

“E bëmë të qartë që tashmë Kosova ka ekip, dhe jo individë. Ka ekip shtetëror. Ne e thamë edhe aty, duhet të hiqen arsyet pse ka ardhur taksa. Ka shumë kushte që Serbia duhet t’i plotësojë për ta tërhequr taksën. Kjo nuk është e njëanshme. Ne jemi në kushte të tilla që jetojmë me Serbinë. Ka qindra marrëveshje që Serbia nuk i ka respektuar. S’po flasim për këtë fushatën e egër kundër Kosovës. Edhe çështja e taksës në një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të ketë nevojë për taksë”, ka thënë ndër të tjera Fatmir Limaj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme