Limaj: Janë dy çështje problematike në vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti.

Limaj ka thënë se nuk qenë vendim i pritur, por e respekton si vendim, megjithatë ai thotë se i sheh dy gjëra si problematike në këtë aktgjykim.

“Efekti prapaveprues. Gjykata Kushtetuese kur vjen puna të votimi i qeverisë thotë se nuk ka qenë vendim i rregullt, ndërsa kur vjen çështja të vendimet e qeverisë thotë se për ato vendime nuk ka efekte prapaveprures. Është shumë vështire me arsyetu këtë çështje si jurist. Poashtu për mua Gjykata Kushtetuese ka marr rolin që nuk i takon ka shpallë dënim. Gjykata Kushtetuese nuk nxjerr dënime. Me vet faktin që ai që është i dënuar deri në tre vjet nuk ka drejtë të zgjidhet është dënim dhe kjo nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Janë këto dy momente që i kam parë si të diskutueshme”, ka thënë Limaj në një intervistë për televizionin publik.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme