Ish-ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, është shpallur i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës për rastin e njohur si MTPT.
Të pafajshëm janë shpallur edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.
Limaj shpallet i pafajshëm për krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti
Trupi gjykues në krye me gjyqtaren e EULEX- it, Maria Tuma ka marrë vendim ndaj ish-ministrit të Transportit, tani zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj, në rastin gjyqësor të njohur si MTPT që ai të lirohet nga pika një e aktakuzës për krim të organizuar, raporton Ekonomia Online.
Në këtë pika të aktakuzës shpallen të pafajshëm edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala e Shpëtim Telaku.
Edhe në pikën e dytë të aktakuzës shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit të akuzuarit Limaj, Shala e Krasniqi u shpall të pafajshëm.
“Nuk është provuar se Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi kanë shpërdorur detyrën zyrtare për dhënien e tenderëve për kompaninë “Tali” dhe “Inter-Evropa””, tha Tuman.
Edhe në pikën 3 të aktakuzës marrja e ryshfetit, Limaj, Shala e Krasniqi lirohen nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer këtë vepër penale.
“Në mënyrë të veçantë nuk është provuar se Limaj, Shala dhe Krasniqi nuk është provuar se kanë marrë ryshfet”.
I akuzuari tjetër Florim Zuka akuzohet për dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi. Ai u lirua nga pika e pestë e akuzës. Aktakuza lidhej me asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Gjilanit.
Fatmir Limaj, Endrit Shala e Nexhat Krasniqi ishin akuzuar nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar, shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit dhe marrje ryshfeti gjatë kohës sa Limaj ishte ministër i Ministrisë së Transportit në vitin 2008.
I akuzuari Florim Zuka akuzohet për dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.
Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë.
Në fjalën e tij përfundimtare Fatmir Limaj, të mërkurën tha se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në korrupsion, pasi siç deklaroi ai, në fjalën e prokurorit në asnjë shkresë, e në asnjë dokument nuk është thënë se ka ndodhur ndonjë keqpërdorim gjatë kohës sa ai ka qenë ministër.
Gjithashtu, ai tha se i është bërë një gjyq publik, dhe se njerëz dhe disa media, nuk kanë lënë asgjë pa bërë në tendencë për të shkatërruar personalitetin e tij.