Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka organizuar tryezën më temën “Prodhimet vendore në supermarkete-rregullimi i tregtisë së brendshme”.
Me këtë rast zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, tha se nuk do të lejohet që 90% e produkteve në markete të jenë prodhime të huaja, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se respektimi i konkurrencës se lirë hapja dhe mundësia e qarkullimit të lirë të mallrave është e drejtë, por çdo vend ka rregulla dhe ato duhet të respektohen.
Limaj madje paralajmëroi ndryshimin e Ligjit për Tregtinë, duke apeluar që të trajtohen barabartë tregtarët vendës.
“Kjo praktikë 90 me 10 do të hiqet, në mënyrë ligjore nga MTI që t’i japim mundësi vendit dhe të rinjve. Nuk do lejojmë që 90% të produkteve të vijnë nga jashtë, nuk do lejojmë sepse kemi rrugë. Nëse kemi probleme me ligjin duhet ta ndryshojmë, nëse kemi ligj që destimulojnë prodhues në vendin tonë duhet të bëjmë ndryshimin e ligjit që pengon këto procese”.
“Ta nxjerrim si prioritet të përbashkët eliminimin e efekteve, t’i marrim hapat për ta ndryshuar këtë gjendje dhe të jemi të bashkuar në këtë. Apeli im është trajtoni barabartë tregtarët tanë”, tha ai.
Limaj tha se Qeveria do të jetë partner i biznesit për fuqizimin e ekonomisë së tyre, edhe pse ende ka punë për të bërë për të eliminuar të gjitha pengesat biznesore.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, theksoi se të gjitha të gjeturat duhet të merren për bazë me një ligj sa më të mirë për tregti të brendshme dhe të jashtme.
“Prioritet kemi fuqizimin e biznesit dhe përkrahjen e prodhuesit vendor. Kemi marr masa aty ku kemi mundësi dhe aty konform mbrojtjes së prodhuesit. Duhet të bëhen hetime për rregullimin e tregut, por gjithnjë në bazë të fakteve. Ne si MTI kemi bërë strategjinë ku parashihen për heqjen e barrierave dhe krijimin e lehtësirave për bizneset”, tha Hasani.
Drejtori ekzekutiv i prodhuesve vendor Astrit Panxha, tha se në Kosovë ka nevojë të rregullohet tregu.
“Në Kosovë ka nevojë të rregullohet tregu të kemi rregullim të tregut brenda Kosovës e kemi obligime ndaj MSA-së”.
Sipas tij, fuqinë për me vendos se çfarë produkte kanë me pas në supermarkete e marrin vetë ato, prandaj, ka shumë rëndësi vendosja e produkteve nëpër markete.
Diellza Gashi nga Instituti Riinvest ka prezantuar raportin e rekomandimeve të studimit “Marrëdhëniet në mes të prodhuesve vendorë dhe shitësve me pakicë”. Në këtë studim ajo ka përmendur se ka parregullsi në treg dhe probleme më të cilat hasin prodhuesit vendorë.
Ndërsa, Fatos Islami nga rrjeti i grupit ELKOS tha se të gjeturat e hulumtimit nuk konsistojnë me pjesëmarrjen e produkteve në treg. Ai shtoi se ky rrjet i shërbimit të produkteve në çdo vit ka rritje sa i përket shitjes së produkteve vendore.
“Nuk konsistojnë analizat e hulumtimit tuaj që 90 për qind në treg janë produkte të importuara, sepse nëse janë marrë analizat në krejt produktet prej 30 mijë që sot i ka ETC-ja, ka kategori të shumta në të cilat i kemi produkte vendore në 100 për qind. Në vitin 2014 vlera e shitjeve për produktet vendore është 25 milionë euro, në vitin 2015 janë 29 milionë euro shitje të produkteve vendore, në vitin 2016 mbi 29 milionë euro dhe në vitin tash deri në shtator ka pasur shitje rreth 25 milionë euro e që deri në fund vit arrin në 30 milionë euro”, tha Islami.