Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës Speciale për sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij, Jakup Krasniqi.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Krasniqi edhe këtë herë do të dijë të mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së.
Limaj tutje ka thënë se asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën e drejtë të Kosovës.
“Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë”, ka thënë ai.
Sipas Limajt nuk ka alternativë tjetër pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës, pasi që thekson se kjo gjykatë u themelua nga Kuvendi i Kosovës.
“Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk kemi alternativë, pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës!Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka shkruar ai.