Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, bashkë me sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Skender Reçica, pritën sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha.
Në këtë takim, përveç karakterit njoftues, temë diskutimi ishte situata politike në vend, e po ashtu u diskutua edhe për zhvillimet tjera ekonomike, sociale, etj, në Kosovë.
Limaj i shprehu mirënjohjen ambasadorit Dinosha për mbështetjen e pakursyer të shtetit të Malit të Zi në proceset shtetndërtuese të Kosovës dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Limaj tha se edhe në të kaluarën, Kosova dhe Mali i Zi e kanë mbështetur njëra-tjetrën, dhe kjo mbështetje po vazhdon edhe tani, kur Kosova është në rrugën e saj të integrimeve evropiane, dhe Mali i Zi drejt anëtarësimit në NATO.
Ambasadori Dinosha, nga ana e tij, thuhet se e ka çmuar angazhimin e Nismës në skenën politike të Kosovës, orientimin e saj pro-perëndimor, dhe uroi që edhe në të ardhmen NISMA të vazhdojë të jetë e tillë, dhe të ketë sa më shumë suksese, në shërbim të qytetarëve të vendit.
“Mali i Zi është i përkushtuar maksimalisht që ta mbështes Kosovën në rrugëtimin e saj evropian”, ka thënë Dinosha, sipas një komunikate shtypi të lëshuar pas takimit.