Barcelona e siguroi një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, falë paraqitjes së argjentinasit, i cili e drejtoi skuadrën katalonase me dy golat në pjesën e parë të ndeshjes.
Jesse Lingard i Manchester Unitedit beson se Lionel Messi e shfaqi më të mirën e tij në përballjen mes Barcelona dhe “Djajve të kuq” mbrëmë në “Camp Nou”, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Messi shënoi dy herë në pjesën e parë të ndeshjes, duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë këtë përballje me rezultat 3:0 dhe ta sigurojë një vend në kuadër të gjysmëfinaleve, ku do të përballet me fituesit e çerekfinales mes Liverpoolit dhe Portos.
Pesë-herë fituesi i Topit të Artë ishte mbajtur i heshtur në fitoren 1:0 të Barcelonës në “Old Trafford” javën e kaluar, por ai u tregua shumë i rrezikshëm në ndeshjen e mbrëmshme. Dy golat e tij brenda tre minutave lojë ia shuan shpresat për kualifikim në gjysmëfinale Manchester Unitedit.
Philippe Coutinho e shënoi golin e tretë të ndeshjes dhe ia siguroi edhe më shumë Barcelonës kualifikimin në gjysmëfinale, me rezultat të përgjithshëm 4:0. Pas ndeshjes, Lingard e lavdëroi Messin.
“Nuk mund të bësh këso gabimesh në ndeshje të tilla. Ne dominuan për 15 apo 20 minutat e para dhe gjithçka mund të ketë qenë ndryshe nëse do t’i kishim shfrytëzuar mundësitë”, është shprehur Lingard.
“Messi është njëri prej lojtarëve më të mirë në botë dhe ai e shfaqi më të mirën e tij sonte. Gjithçka që mund të bëjmë është që të ecim përpara. Ne kishim më pak mundësi, por duhet të kishim pasur më shumë besim në vete”.
“Nëse 15 minutat e parë të lojës do të na kishin shkuar përshtati, do të kishte qenë një histori tjetër. Mundësi në këto ndeshje janë të mëdha dhe nëse i shfrytëzon, ndeshja ndryshon. Liga e Kampionëve është një garë e madhe dhe do të luftojmë që të kthehemi këtu”.