“Linja e Jetës” proteston kundër raportimit të vetëvrasjeve: Po cenohet privatësia e viktimave

Prishtinë | 17 Gus 2026 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Organizata “Linja e Jetës” kanë organizuar protestë duke kundërshtuar mënyrën e raportimit të rasteve të vetëvrasjeve dhe publikimin e informatave private të viktimave dhe familjeve të tyre, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i organizatës, Bind Skeja, ka deklaruar se mungon transparenca rreth një portal në vend duke thënë se nuk dihet zyrtarisht se kush janë gazetarët, kush e mbështet dhe kush e financon atë.

“Sot dimë pak. Ditët e sotme jemi te zyrat e Sinjalit. Kjo sepse ne nuk e dimë nga brendësia e tyre, as nuk e dimë nga ndonjë informacion zyrtar, por e dimë jozyrtarisht. Pak më poshtë është pronari i tyre, Besnik Berisha. Edhe këtë që është pronari i tyre, ne nuk e dimë nga ndonjë informacion zyrtar, por e dimë jozyrtarisht”, ka thënë Skeja.

Ai ka shtuar se kjo paraqet një ironi, pasi sipas tij, portali ka qasje në informacione të ndjeshme për qytetarët.

“Kjo është një ironi e madhe, për shkak se Sinjali di gjithçka për ne. Sinjali di momentet tona më të vështira. E di kur jemi në kulmin e vajtimit, e di kur jetojmë dhe e di kur vdesim”, ka deklaruar ai.

Sipas Skejës, informacionet për rastet tragjike publikohen për konsum publik dhe për të rritur shikueshmërinë.

“E tërë këtë informacion, Sinjali e merr, i paketon dhe i dërgon për konsum publik. Brenda ditës, një vdekje tragjike kthehet në një produkt tjetër që ata e shesin, vetëm për më shumë klikime dhe për oreksin e pangopur të Besnik Berishës”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe raste të ripublikimit të videove dhe informatave private të viktimave.

“E kemi parë gjithashtu rastin kur një video e një djali është ripostuar nga Sinjali muaj më vonë, veç për me ngjallë prapë shikueshmëri. E kemi parë gjithashtu pak ditë më vonë, pas të gjitha reagimeve tona, kur Sinjali sërish publikoi informata private të një viktime”, ka deklaruar Skeja.

Ai tha se protesta është mbajtur në mbështetje të familjeve dhe individëve që, sipas tij, janë prekur nga raportimet e portalit.

“Prandaj sot kemi dalë këtu. Kemi dalë për të gjitha familjet që vajtimit të tyre i është shtuar edhe presioni prej Sinjalit. Për çdo individ që pas tentimit të vetëvrasjes u bë personi i njohur për këtë Kosovë, falë Sinjalit. Për çdo person që i është refuzuar kërkesa për dinjitet nga ky portal. Ne jemi me të gjithë ju dhe u japim një zë kërkesës suaj për dinjitet”, ka thënë ai.

Skeja ka bërë thirrje për reagim të përbashkët të shoqërisë dhe institucioneve.

“Nuk mundemi me e kthyer kohën mbrapa, por bashkë mundemi me u siguruar që asnjë familje tjetër mos me u ballafaquar më me portale si Sinjali. Është përgjegjësia jonë, shokë e shoqe, që kur një portal i tillë nuk e rregullon veten, që kur institucionet dështojnë me vite të tëra t’i mbajnë përgjegjës, që ne të punojmë bashkërisht, që të me një zë: Kjo padrejtësi përfundon këtu!”, ka deklaruar ai.

Në fund, Skeja ka bërë të ditur se organizata do të vazhdojë me hapa të tjerë.

“Sot në mëngjes veçse kemi kërkuar të gjitha bizneseve që blejnë hapësirë reklamuese në Sinjal që të ndërpresin bashkëpunimin e tyre, e pas kësaj do të vazhdojmë me çdo hap tjetër i cili na jep drejtësi. Kjo rrugë mund të jetë e gjatë, por ne besojmë fuqishëm se vetëm së bashku mund të ndalim këtë makth kolektiv. Faleminderit shumë”, ka përfunduar Skeja.

Të ngjashme