Lirohet kameramani i EO-s: Sjellja e Policisë ishte arrogante, s’jemi kriminelë

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Pas marrjes në pyetje në stacionin policor në Suharekë, është liruar kameramani i agjencisë së lajmeve Ekonomia Online, Albion Selitaj, i cili u arrestua sot derisa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding“.

Selitaj tregoi se pasi ka dhënë deklaratë, rreth orës 13:30 është lënë i lirë. Ai tha se sjellja në stacion ka qenë korekte. “Më thanë që do të procedohen për pengim të personave zyrtarë”.

Ndërsa, gjatë arrestimit sjellja e Policisë ka qenë tejet arrogante.

Ai ka thënë se në momentin kur është arrestuar u ka treguar Policisë se ishte duke xhiruar drejtpërdrejt, prandaj ka kërkuar që të mos ta shtyjnë sepse mund t’ia thyejnë kamerën dhe pajisjet e tjera.

“Sapo dola nga stacioni policor në Suharekë, ku dhashë një deklaratë në Polici. Më thanë se do të procedohem për pengim të personave zyrtarë. Iu tregova se kam qenë duke e kryer punën time dhe pasi që kam qenë live kam kërkuar pak kohë dhe hapësirë… Ata më kanë shtyrë, kanë dashtë të ma thyejnë edhe kamerën”, ka rrëfyer Selitaj, pas lirimit.

“Edhe ne kemi qenë në vendin e punës, duke e kryer detyrën, dhe policia ka mundur të na japë një afat me liru sallën ku mbahej konferenca, e jo të sillet sikur ne me qenë kriminelë”.

“Policia e Kosovës duhet me pasë respekt për punën e gazetarëve dhe kameramanëve”, ka theksuar Selitaj.

Të ngjashme