Lista Srpska nuk merr pjesë në seancën e 1 shtatorit

Prishtinë | 31 Gus 2016 | 13:07 | Nga Hasan Hoti

Lista Srpska pritet të mos marrë pjesë në seancën e 1 shtatorit, ku do të votohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit për kufirin me Malin e Zi. Kështu, mund të rrezikohet dhe kuorumi për mbajtjen e seancës, pasi që duhet të jenë dy të tretat e deputetëve (81 deputetë).

Mospjesëmarrjen e Listës Srpska e ka konfirmuar për Ekonomia Online njëri nga deputetët e kësaj liste, i cili ka kërkuar mos t’i përmendet emri.

“Nuk do të marrim pjesë në seancën e nesërme”, ka thënë ai.

I pyetur se cilat janë arsyet e këtij bojkoti, ai ka thënë: “Aktualiteti politik dhe vonesa e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pritet të votohet nesër në Kuvendin e Republikës. Mirëpo, kjo çështje vështirë që do të mund të kalojë me 1 shtator. Janë një numër i deputetëve të pozitës të cilët janë kundër votimit të demarkacionit, derisa partitë opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma që nga fillimi i marrëveshjes janë kundër.

Marrëveshje ndërkombëtare mund të ratifikohet vetëm me dy të tretat e votave, derisa koalicioni PDK-LDK është deklaruar se është i sigurt se do të aprovohet.  Ndërsa, sipas rregullores së Kuvendit nëse Marrëveshje refuzohet, atëherë ajo kthehet në pikën zero dhe Qeveria duhet ta rinegociojë sërish me Malin e Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme