Më shumë se 180 gra janë prekur me kancer të gjirit vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Shumica e grave që lajmërohen në Institutin Onkologjik për trajtim, janë në stade të avancuara, pra kur sëmundja ka arritur në shkallë të tretë apo të katërt.
Aktualisht, Kosova nuk ka statistika për vdekshmërinë e grave nga kjo sëmundje, andaj edhe nuk dihet numri i saktë i rasteve që përfundojnë me vdekje.
Ilir Kurtishi, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se furnizimi me citostatikë, apo ilaçe që trajtojnë sëmundjen e kancerit, është i mirë, por që ka mungesë të disa llojeve të ilaçeve.
“Në gjashtëmujorin e parë, numri i rasteve me kancer ka qenë 185 femra, që paraqet tre (3) për qind rritje krahasuar me vitin e kaluar. Sa i përket furnizimit me barna, kryesisht jemi mire të furnizuar, por që janë dy ilaçe nga lista esenciale që mungojnë. Problemi me furnizimin me këto ilaçe vjen si pasojë e furnizuesit, i cili nuk i ka sjellë ato”, tha Kurtishi.
Ndryshe edhe një ilaç i quajtur “Pertuzumap”, i cili aktualisht kërkohet si i nevojshëm nga më shumë se 30 gra paciente për trajtimin e kancerit të gjirit, nuk është fare në listën esenciale.
Kurtishi thotë se tashmë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, që ky lloj i ilaçit të futet në listën esenciale.
“Ilaçi ‘Pertuzumap’ është ilaç që nuk është në listën esenciale, por që ne kemi bërë kërkesë të bëhet pjesë e saj. Ka deri në 30 kërkesa të grave në vit, që kanë nevojë për këtë ilaç. Secila ka nevojë që deri në gjashtë terapi nga ky ilaç t’i përdorë dhe kjo shtetit do t’i kushtonte rreth 500 mijë euro”, tha Kurtishi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit në dorëheqje të Shëndetësisë, tha se ilaçi “Pertuzumap” do të futet në listën esenciale, pasi që lista e vjetër tashmë është plotësuar dhe ka shumë ndryshime, varësisht nga kërkesat e klinikave.
“Revidimi i listës së barnave esenciale ka përfunduar. Është në dëgjim publik dhe brenda këtyre ditëve do të nënshkruhet. Sa i përket këtij bari, ai është pjesë e listës së re të barnave esenciale. Përveç këtij bari, janë shtuar edhe një numër i madh i barnave tjera nga më të rejat për trajtimin e kancerit, por edhe sëmundjeve tjera. Në përgjithësi, kjo e listë e re e barnave esenciale do të jetë lista më e kompletuar të cilën e ka pasur Ministria e Shëndetësisë ndonjëherë. Kjo listë pritet që të plotësojë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve në lidhje me shqetësimet e tyre shëndetësore”, tha Matoshi.
Vitin e kaluar (2018) janë shënuar 1,500 raste të reja me kancer. Sipas Ilir Kurtishit, kanë dominuar rastet e kancerit të gjirit te femrat, ndërkaq te meshkujt kanceri i mushkërive dhe kanceri i zorrës së trashë.
Drejtuesit e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë thonë se tashmë për pacientët e prekur nga kanceri, ofrohet shërbim 24-orësh.