Livoçasit kërkojnë rifunksionalizmin e ujësjellësit dhe të ambulancës

Gjilan | 18 Gus 2017 | 11:55 | Nga

Banorët e fshatit Livoç i Epërm kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime, në dëgjimin e radhës publik për buxhetin 2018, që ka organizuar në mbrëmjen e së enjtes Komiteti për Politikë e Financa, në Komunën e Gjilanit.

Banorët e Livoçit të Epërm, kanë thënë se prioritete më të rëndësishme në këtë fshat janë funksionalizimi i ujësjellësit dhe ambulancës, asfaltimi i disa rrugëve si dhe pastrimi i lumit.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se dëgjimet publike kanë për qëllim përfshirjen e qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit për vitin 2018.

“Ne po ju japim mundësinë qytetarëve që t`i paraqesin nevojat e tyre dhe pastaj ato t`i përfshijmë në listën e projekteve kapitale për vitin 2018, për t`i realizuar si prioritete brenda mundësive buxhetore që ka Komuna”, ka thënë Kurteshi-Emini, duke shtuar se të gjitha prioritetet për investime, do të caktohen në bashkëpunim me qytetarët, njofton Komuna e Gjilanit.

Hollësi për buxhetin 2018 ka dhënë Zijadin Maliqi, përfaqësues i Drejtorisë për Financa, i cili i ka njoftuar qytetarët se investimet si pjesë e rëndësishme e buxhetit, sigurohen nga të hyrat vetanake si dhe grandet e qeverisë.

Livoçi i Epërm, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ka mbi 2550 banorë.

Përndryshe, cikli i dëgjimeve publike vazhdon deri më 23 gusht, kur përmbyllet me tubimin qendror, i cili do të mbahet në sallën e Kuvendit të Komunës, për t`iu dhënë edhe njëherë mundësinë të gjithë qytetarëve të komunës së Gjilanit që t`i japin kërkesat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për buxhetin e vitit 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme