Mbahet Seanca solemne e Kuvendit për nder të Epopesë së UÇK-së
Të hënën për nder të “Epopesë së UÇK-së”, është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës së Drenasit. Mbledhjen e ka hapur kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Labinot Halilaj, ndërsa fjalën e rastit e mori kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci.
Kryetari Lladrovci ka marr pjesë edhe në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në Parakalimin solemn të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”.
Më poshtë gjeni fjalimin e kryetarit Lladrovci të mbajtur ne Seancën solemne të Kuvendit Komunal në Drenas:
Të nderuar asamblistë të Komunës së Drenasit,
I nderuari Kryesues i Kuvendit, z. Labinot Halilaj,
Sot, në këtë seancë solemne, me rastin e shënimit të 20 Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënimit të rezistencës heroike të Familjes Jashari, nderojmë jetën e veprën e të gjithë kontribuuesve për lirinë e pavarësinë e vendit tonë.
Ky vit, është shpallur vit i Skënderbeut, vit që kujton veprën e heroit tonë kombëtar që ishte burim frymëzimi për më shumë se 500 vjet se si jetohet e punohet për atdheut dhe pavarësinë e vendit të vet.
Madhështia e Skënderbeut do të zbriste pas pesë shekujsh e do të pasqyrohet më së miri në jetën e veprën e Komandantit legjendar Adem Jasharit, i cili si në legjenda, i doli përball makinerisë serbe, me tërë familjen, me Babën Shaban, Hamzën me gra e fëmijë, djem e çika.
Në këtë ditë, para 20 vitesh, legjenda e Skënderbeut do të zbret në Prekaz e Drenicë, për t’u jetësuar në lirinë tonë, në momentin që pritej më shumë se 100 vjet, të shkundej nga qafa jonë robëria e një regjimi kriminal.
Kjo ditë, pas përballjes titanike të një familjeje me makinerinë okupatore, do të rikthente fuqinë nacionale në vend, duke bashkuar më shumë se kurrë, djem e vajza në tërë trojet etnike, për t’i dhënë goditje regjimit të pashpirt që godiste familjet dhe qytetarët duarthatë.
Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin marrë rrugë një drejtimi që nuk do të ndalej deri në çlirim.
Sot, në këtë mbledhje solemne, kujtojmë me nderim të përjetshëm, Bacën Shaban, Hamzën e Komandantin legjendar, Adem Jasharin. Kujtojmë sakrificën e paparë të një familje në historinë moderne, duke u bërë sakrifica e tyre, motiv për punë e angazhim për mirëqenien e qytetarëve pa dallim.
Sot, kujtojmë me nderim, angazhimin e çdo qytetari, çdo familje e cila dha bukë, ujë, strehim, që dha ushtarin e ushtaren, që dha zemër e shpirt për Ushtrinë çlirimtare, ushtrisë më të suksesshme të shekullit të kaluar.
Ne, ato plagë të asaj përballje të popullit tonë, kurrë nuk do t’i harrojmë, por do të bëhen mësim për ne, se ky popull, do jetën në paqe, liri, fqinjësi të mirë por edhe mirëqenie, arsim, shëndetësi e cilësi të jetës çfarë e meriton çdo popull liridashës.
Sot, me nderim të thellë, i përkulem çdo kontribuuesi për lirinë e pavarësinë e Kosovës, me zotimin se rruga jonë nuk do të ndalet deri në jetësimin e amanetit të më të dashurve tanë që sakrifikuan për ne, për shtet të lirë e të zhvilluar, shtet ligjor e të mirëqenies, shtet të dijes e barazisë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë!
Lavdi jetës e veprës së Komandantit legjendar Adem Jashari!