Lladrovci premton zgjidhje për stacionin e autobusëve dhe tregjet

Drenas | 15 Dhj 2016 | 14:07 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në kuadër të shpalosjes së programit të tij të përgjithshëm para qytetarëve të Drenasit, sot ka prezantuar programin për shërbimet publike.

Lladrovci ka thënë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente ka synim të vazhdueshëm që të rrisë bashkëpunimin e ngushtë në shërbim të qytetarëve tanë, me qëllim të intervenimit me kohë.

Përveç finalizimit të projekteve të miratuara në asamblenë komunale, Lladrovci ka thënë se prioritet i tij për vitin 2017 është edhe zgjidhja e çështjes së Stacionit të Autobusëve, me qëllim të funksionalizimit të shërbimit të transportit publik dhe sjelljes së të mirave materiale për buxhetin e komunës.

“Do t’i rregullojmë edhe vendet e pritjes për udhëtarët e autobusëve”, ka shtuar ai.

Lladrovci ka premtuar se do ta ndërtojë edhe mbikalimin te Korrotica e epërme, se do ta funksionalizojë tregun ditor në Drenas dhe do ta zgjidhë edhe çështjen e tregut të gjelbër në Komoran.

“Prioritet do ta kem edhe zgjidhjen e çështjes së ambientit në qendrën zejtare, çështjen e ujit, kanalizimit, gjelbërimit dhe parkingut”, ka thënë Lladrovci.

Edhe zjarrfikësve të Drenasit, Lladrovci u ka premtuar se do t’ua barazojë pagat me kolegët e tyre në Kosovë.

Ndërsa, si prioritete të tjera, ai ka përmendur edhe sigurimin e hapësirave të reja për parkingje, ndryshimin e kaheve të disa rrugëve brenda qytetit, vendosjen e disa semaforëve në qytet, shënjimin dhe ruajtjen e pronës publike, si dhe bashkëpunimin me organet e rendit dhe rritjen e sigurisë nëpër shkolla.

Kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit ka treguar se do të vazhdojë me vendosjen e kamerave në qendër të qytetit dhe ka premtuar edhe realizimin e projektit për trajtimin e qenve endacakë.

“Komuna po vazhdon të shtrijë shërbimin e menaxhimit të mbeturinave në tërë territorin. Largimi i deponive ilegale dhe vendosja e shenjave për vetëdijesim të qytetarëve është prioritet i drejtorisë për shërbime publike në Drenas”, ka thënë Lladrovci.

Kjo drejtori, sipas tij, për vitin 2016 ka pasur buxhet për projektet kapitale në vlerë prej 352 mijë euro, kurse mirëmbajtja e hapësirave publike, përfshirë sheshin dhe parkun e qytetit, rrugët gjatë sezonit veror dhe dimëror, ndriçimi i qytetit, mirëmbajtja e kanalizimeve dhe gropave septike, si dhe rregullimi i varrezave kanë qenë përgjegjësitë kryesore të saj.

Këtë vit, Lladrovci ka thënë se komuna ka ndarë buxhet edhe për heqjen e shpenzimeve të varrimit për qytetarët, me qëllim të lehtësimit të shpenzimeve për familjarët.

“40 mijë euro është buxheti i miratuar për heqjen e shpenzimeve të varrimit”, ka thënë Lladrovci.

Në fund të prezantimit të tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit ka paraqitur edhe investimet e planifikuara kapitale në vlerë prej 350 mijë eurove për të gjitha shërbimet publike në komunën e Drenasit.
ramiz-lladrovci-2

ramiz-lladrovci-1

Të ngjashme