Lladrovci: Sot përkujtojmë ditën kur të pavdekshmëve të kombit iu bashkua komandant Kodra

Skënderaj | 30 Pri 2018 | 19:49 | Nga

Komuna e Drenasit dhe Skënderajt organozuan sot ceremoninë përkujtimore për nder të përvjetorit të kalimit në amshim të komandantit Ilaz Kodra, 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve të këtyre dy komunave.

Kësaj ceremonie përkujtimore, sipas agjendës, i kanë prirë dy kryetarët, ai i Drenasit dhe ai i Skënderajt, Ramiz Lladrovci dhe Bekim Jashari.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Lladrovci ka shkruar se sot është ditë e përvjetorit, kur varganit të pavdekshmëve të kombit, iu bashkua komandanti Ilaz Kodra. “Gjurmëve të Komandantit legjendar Adem Jasharit, në Drenicë, flakën e lirisë e barti me krenari Fehmi Lladrovci, për ta vazhduar Ilaz Kodra”.

“Vijimësia e rezistencës deri në çlirimin e vendit ishte betim”, është shprehur kreu i Drenasit.

“Me nderim, sot, përkulemi para jetës dhe veprës së Ilaz Kodrës, martirëve të Komunës së Drenasit dhe Komunës së Skenderajt.
Së bashku, dy komunat e Drenicës, kemi organizuar aktivitete me rastin e shënimit të 19-vjetorit të rënies së Komandantit Ilaz Kodra, të 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve të Vërbocit, Shtuticës, Tërstenikut, Polluzhës, Gllobarit, Baksit, Dashecit dhe fshatrave përreth”.

“Pas homazheve, nga Kulla e Komandantit Ilaz Kodra në Prekaz të Poshtëm, kemi vazhduar në varrezat e Dëshmorëve në Polac, pranë varrit të Komandantit Ilaz Kodra, pastaj homazhet te pllaka përkujtimore në Vërboc, ku u bë edhe tubimi përkujtimor”.

Në shenjë përkujtimi të kësaj ngjarje madhore, u zhvillua turneu në futboll të vogël për kategorinë e juniorëve në Skenderaj në fushën sintetike.

Në fund, kjo datë u përmbyll me Akademi përkujtimore për nder të Komandantit Ilaz Kodra, nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj në Prishtinë.

“Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit Ilaz Kodra! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, ka shkruar Lladrovci.

Të ngjashme