Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovcit, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në klubin e futbollist të kësaj komune “Ferronikeli”.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci shkroi që nuk e ka shtyrë askënd të japë dorëheqje nga klubi, sikur po akuzohet nga disa.
Postimi i plotë:
Sporti i Drenasit nuk ndihmohet me dezinformata
Çështja e dorëheqjes së kryetarit të klubit “Ferronikeli”, është bërë temë e qëllimshme për të dëmtuar sportin e Drenasit, sepse, kurrë, në asnjë rrethanë, as nuk kam bërë presion, as nuk kam shtyer të tjerët të japin dorëheqje nga klubi.
Këtë lloj presioni nuk e kam bërë kurrë, as e bëj tash as do ta bëj në të ardhmen. Sepse, jam i njohur me rrjedhat në futboll, kur dihet se kam dy djem futbollistë dhe asnjë presion, në asnjë rast nuk ju bën mirë, as sportit as sportistit.
Unë në fjalën time kam deklaruar se “për shkak të rezultateve të KF Ferronikeli, po të isha në vendin e drejtuesit të klubit, do të jepja dorëheqje”, nëse dikush e ka interpretuar dhe interpreton si presion, është gabim i madh.
Veprimet e mia i kam deklaruar, në asnjë rast nuk kam bërë asnjë lloj presioni ndaj ish drejtorit të klubit. Jam i interesuar dhe përkushtuar për rezultate kulminante të sportit në Drenas, jo vetëm në futboll, por edhe në sportet tjera.
Çdo përpjekje për ta izoluar sportin ndaj komunës apo qytetarëve, nuk është në frymën që përcjell sporti, andaj, asnjë lloj presioni nuk guxon të ngjaj as tash as kurrë. Por, fryma e garës, nënkupton edhe rezultate.
Jam thellësisht i bindur se sportdashësit e punëtorët sportiv të KF Ferronikeli do të gjejnë rrugë, metoda dhe përkushtim për ta rimëkëmbur situatën e krijuar.
Komuna, dhe unë personalisht, në asnjë rrethanë nuk do ta lejoj, për aq sa kam mundësi as të dëmtohet as të humb cilësinë futbolli në Drenas.
Jam thellësisht i përkushtuar për Ferronikelin kampion, për Drenasin me sport cilësor. Çdo tendencë për situatat e krijuara të më adresohen mua janë plotësisht të paarsyeshme. Situata aktuale është jashtë vullnetit dhe dëshirës time.
Besoj fuqishëm se gjendja do të përmirësohet në KF Ferronikeli dhe do t’i kthehemi edhe fitoreve, edhe ngjitjes në tabelë.
Raportet politike, pozitë-opozitë, por edhe brenda subjekteve politike është e shkëlqyer. Si kryetar, nuk e kam përjashtuar askënd, jo vetëm nga pjesëmarrja por edhe vendimmarrja, kur bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve të Drenasit.
Kjo vlen edhe për sportin, sportistët dhe punëtorët sportiv.
Uroj suksese për KF Ferronikeli, futbollistët dhe sportdashësit e Drenasit duke i siguruar se do ta kenë mbështetjen e fuqishme, për aq sa kam kompetenca dhe mundësi, për të rikthyer fitoret dhe kupat në Drenas. Njëherësh përshëndes vendimin e FFK-së, duke besuar fuqishëm se do të punohet konform tyre, duke ruajtur paanësinë dhe ndikimin nga kushdoqoftë që bie ndesh me interesin e sportit.