Kryetari Lladrovci takon delegacionin Millennium nga USA ku diskutuan për mundësinë e investimeve në projektet e efiçiencës.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të hënën ka pritur në takim delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës MCC Washinton, përkatësisht drejtorin e departamentit të infrastrukturës për ambient dhe sektorin privat nga “Millennium Challenge Corporation”, David F. McGill, drejtorin për mjedis dhe asistencë sociale po ashtu nga “Millennium Challenge Corporation” Thomas P.Schehl të shoqëruar nga Koordinatori Nacional i “Millennium Challenge për Kosovës”, Petrit Selimi dhe zyrtarë të tjerë.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte prezantimi pranë donatorëve dhe partnerëve të mundshëm në projektin e efiçiencës së energjisë ne kuadër të programit “Threshold” dhe diskutimi i ideve të mundshme të bashkëpunimit dhe koordinimit.
Ne këtë takim, kryetari Lladrovci para të pranishmëve, prezantoi projektet e realizuara nga ana e Komunës së Drenasit me masa efiçiente, për tre vitet e kaluara dhe shprehi gatishmërinë dhe sigurinë që projektet e realizuara nga Millennium do të gjejnë përkrahjen dhe siguri të investimeve nga Komuna e Drenasit.
Kryetari Lladrovci po ashtu njoftoi të pranishmit edhe për projektin e ngrohjes qendrore e cila do mund të realizohet nga uji i ngrohtë i ndërmarrjes së Ferronikelit dhe se Komuna do të ndajë mjete buxhetore për hartimin e fizibilitetit për këtë projekt me përkrahje të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Kryetari njoftoi të pranishmit edhe për mbrojtjen e ambientit, përkatësisht të lumit “Drenica” dhe se Komuna do të jetë në kërkim të vazhdueshëm në gjetjen e donatorëve për investime në ngritjen e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.
Përfaqësuesit e Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Millennium”, janë ndarë të kënaqur ne takimin dhe projektet e realizuara ne Komunën e Drenasit e ne veçanti për projektet që janë realizuar për efiçiencë të energjisë dhe ka mbetur që të vazhdohen diskutimet me grupet punuese për mundësinë dhe mënyrën e investimeve në projektet e efiçiencës së energjisë, sidomos në sektorin privat.
Delegacioni ka vizuar edhe një ekonomi familjare dhe kanë marr mendimin e tij për benifitet që mund të sjellin masat efiçiente në rregullimin e objekteve.