Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar në Drenas, Ramiz Lladrovci ka takuar gjatë ditës së mërkure punëtorët e dy ndërmarrjeve me të mëdha në Drenas, ata të “Ferronikelit” dhe të “Baumarket – Al-Trade” ku ka theksuar se sukseset e tyre ndër vitesh kanë treguar efikasitet e suksese në industri e prodhim.
“Kompania Baumarket, me vite rendit sukseset dhe është shembull i të bërit biznes, jo vetëm për komunën tonë, por edhe në nivel vendi. Konsiderata ime për këtë kompani ka shumë argumente. Ferronikeli është shtylla kurrizore e industrisë në Drenicë. Jam i vetëdijshëm për rëndësinë e punës në këtë gjigand ekonomik, rëndësinë e të hyrave të familjeve nga Ferronikeli në komunën tonë. Kadri Veseli i dha shtytje të fuqishme vazhdimit të prodhimit këtu”, ka thënë kryetari Lladrovci.
“Këtu, në takim i falënderova për kontributin e zhvillimit të komunës, punësimin si dhe synimet ambicioze për zhvillim. PDK dhe Forca e Ndryshimit respekton të gjitha kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre duke ofruar hapësira të reja, në Parkun e ri të biznesit. Do të vazhdoj të jem i përkushtuar për lehtësira maksimale dhe stimulimin e të bërit biznes. Ne nuk do të ndalemi t’i trajtojmë njëjtë të gjitha kompanitë, duke ofruar mundësi të barabarta dhe transparencë”, ka shkruar Lladrovci në faqen e tij në Facebook.
“Dje, sot dhe nesër, mbështes të drejtat ligjore të secilit punëtor të Ferronikelit! Në takim fola për sukseset tona. Po ashtu, theksova se platforma jonë zgjedhore është e pakrahasueshme me oponencën andaj, ballëhapur, kërkojmë votën e qytetarit, për PDK-në, për numrin 94. Ne jemi Forca e Ndryshimit në Drenas”, ka theksuar Lladrovci.