Përmirësimi i politikës fiskale, informaliteti dhe problemet me energjisë ishin disa nga temat kryesore që kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka diskutuar në takime të ndara me delegacionin e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB) dhe delegacionin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK).
Ministri Lluka ka njoftuar delegacionet e AKB-së dhe KPK-së me prioritetet e MZHE-së, me ç’rast ka ritheksuar se mbështetja e bizneseve vendore përbën një prioritet të lartë dhe shtoi se në këtë linjë, bashkëpunimi me asociacionet e biznesit është shumë i nevojshëm.
Duke diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohet biznesi vendor, ministri Lluka dhe kreu i AKB-së Agim Shahini, janë pajtuar se duhet të punohet më shumë për qasje më të mirë në energji dhe eliminimin e barrierave për prodhuesit.
Ndërkaq, në takimin që i pari i MZHE-së pati me delegacionin e KPK-së, u shqyrtua mundësia thellimit të bashkëpunimit me qëllim të zhvillimit të sektorit të prodhimit, fuqizimin dhe promovimin e prodhimeve “Made in Kosova” dhe nevoja e eliminimit të barrierave.
Ministri Lluka u tha të dy delegacioneve se te MZHE do të gjejnë partnerin e tyre institucional, për të adresuar të gjitha shqetësimet e bizneseve, të cilat pastaj do të trajtohen konform kornizës ligjore dhe institucionale, pasi konsideron se biznesi vendor është shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit.