Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës – STIKK ka mbajtur mbledhjen e 10-të të Kuvendit të kësaj shoqate.
Mentor Sahiti, Kryetar i Bordit të STIKK tha se prej që ka filluar, kjo shoqatë ka synuar krijimin e kushteve të përshtatshme në sektorin e teknologjisë, raporton Ekonomia Online.
“Kur kemi filluar para disa vitesh me shoqatën sa i përket tentimit të daljes në tregjet e jashtme, pozicionimi i kësaj ka qenë 0, ndërsa sot kudo që shkojmë e sidomos në tregun gjermanfolës e deri në Skandinavi, Kosova tashmë është futur në hartë”, tha Sahiti.
Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik tha se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka në fokus teknologjinë informative dhe se gjatë këtyre viteve ka përkrahur vazhdimisht shoqatën STIKK në projektet e zhvillimit teknologjik. Ai tha se tani janë të fokusuar në finalizimin e tekparkut dhe se shpreson qe kjo do të arrihet shumë shpejt në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë një bazë të mirë të sektorit të teknologjisë informative.
“Parku i teknologjisë shpresoj që do të funksionalizohet shumë shpejt, është objekt i ri por ka nevojë për ridizajnim për anën e brendshme për t’iu përshtatur hapësirave moderne që kërkohen”, tha Lluka për techpark Prishtina.
Ai shtoi se për ridizajnimin e këtij parku teknologjik kërkohen rreth 1.2 milion euro investime dhe se GIZ-i gjerman është zotuar që sa u përket mobilieve do të ndihmojnë, ndërsa Banka Botërore do ta ndihmojë projektin për finalizimin e Techpark-ut.
Ndërsa, Vjollca Çavolli, drejtoreshë Ekzekutive në STIKK, tha se ICT është sukses teknologjik që po krenohet e gjithë Kosova.
Çavolli tha se viti 2017 ka qenë një vit i suksesshëm me gjithë vështirësitë financiare, por njëra ndër ngjarjet e rëndësishme ka qenë nënshkrimi i kontratës me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për Techpark Prishtina. Ajo më pas tregoi për objektivat që shoqata STIKK ka pasur që nga fillimet e veta, raporton EO.
“Objektivat e STIKK janë zhvillim i një mjedisi të favorshëm për mbështetjen e rritjes së përshpejtuar të STIKK-së, zhvillimi i burimeve njerëzore në pajtueshmëri me nevojat e sektorit të TIK-ut, ofrimi i shërbimeve për anëtarë me qëllim të krijimit të mundësive të reja biznesore, krijimi i kushteve për veprimtari të qëndrueshme të STIKK dhe mbështetja e anëtarëve në ushtrimin e përgjegjësisë sociale në sektorin e TIK-ut”, tha Çavolli.