Në Prishtinë po mbahet edicioni i dytë i Forumit Ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin energjetik midis Shqipërisë dhe Kosovës, Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”.
Ky edicion organizohet nga Konfindustria në bashkëpunim me IFC International Finance Corporation dhe me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.
Forumi do të përqendrohet në sfidat e themelimit të Shkëmbimit të Energjisë Elektrike në përputhje me zbatimin e politikës shqiptare të energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë.
Modelet e shkëmbimit të energjisë dhe integrimi i tregut të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës do të diskutohen bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se mosimplementimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë është problemi kryesor që Kosova dhe Shqipëria nuk do të mund të liberalizojnë tregun e energjisë, raporton Ekonomia Online.
Pa implementimin e kësaj marrëveshjeje me Serbinë, sipas Llukës, nuk do të ketë liberalizim të tregut me Shqipërinë.
Ai tha se në takimin e fundit, Kosova dhe Serbia kanë lëvizur përpara për implementimin e marrëveshjes që, sipas tij, deri në fundvit do të ketë një përfundim.
“Ligji për Efiçiencë ka kaluar javën e kaluar në Kuvend, ligj që parasheh 9% të kërkesës së energjisë t’i kemi nga këto masa. 20 objekte publike janë ndryshuar nga BB, dhe priten të ndryshohen edhe shumë të tjera”.
“Integrimi i tregut dhe bursa për energji mes dy vendeve është zbatimi detyrimor ndërkombëtar, që parasheh përmes një tregu më të madh, i cili do të jetë atraktiv dhe konkurrues, kjo është ideja e tregjeve të dy vendeve”.
“Në problemin që e kemi me Serbinë është mosimplementimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë, ku integrimi i tregjeve të dy vendeve dhe përfshirja e KOSTT-it në bursën shqiptare të energjisë, pika kritike është zgjidhja e problemit me Serbinë, mosimplementimi i marrëveshjës së interkoneksionit me Serbinë. Ishim në takim në Bruksel për këtë. Kemi lëvizur përpara, deri në fundvit po presim të ketë një rezultat me Serbinë”.
Gjergj Buxhuku, nga AlbKonfindustria, ka thënë se krijimi i tregut të përbashkët dhe liberalizimi i energjisë janë procese të cilat kanë pranuar të dy vendet për anëtarësim në BE.
“Zbatimi në praktikë i liberalizimit të tregut nxjerr në pah problematikat, për të shmangur pasojat për bizneset, zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Proceset e pranuara në parim kohë më parë janë pjesë e integrimeve të tyre në BE, siç janë krijmi i tregut të përbashkët të energjisë; liberalizimi i energjisë, nëse njëra nga këto nuk funksionon sistemi i emergjisë bie. Bursa është operator që duhet drejtuar dhe menaxhuar”.
“Parimet dhe kërkesat politike të BE-së për liberalizimin e tregjeve mbeten fjalë të bukura pa përgjgje, së dyti nuk duhet të harrojmë se suksesi i bursës së energjisë do të ishte arritje e dy institucioneve Kosovë-Shqipëri”.
Dorina Cinari, zv.ministre në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ka thënë se Ministria përkatëse e Shqipërisë ka marrë angazhime serioze në rritjen e kapaciteteve gjeneruese.
Ajo tha se Shqipëria është optimiste për të krijuar tregun e përbashkët energjetik me Kosovën.
“Ne kemi marrë angazhime serioze në rritjen e kapaciteteve gjeneruese. Po punojmë në sigurimin e energjisë elektrike. Themelimi i bursës së energjisë, grupet teknike po punojnë. Shqipëria ka 6 lidhje të interkoneksionit me vendet fqinje, një 400 kilowat me Kosovën”.
Ndërsa Hans-Arild Bredesen, përfaqësues i Norvegjisë për sektorin energjetik, bëri thirrje që Kosova dhe Shqipëria si fqinjë ta përshpejtojnë procesin e tregut të përbashkët.
“Keni fqinjët e juaj që janë pjesë e një bashkimi më të gjerë, ju keni qenë të parët dhe ju si fqinjë duhet ta shpejtoni këtë proces, përshpejtoni përparësitë që keni”.