Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se nuk ka patriotizëm më të madh sesa hapja e vendeve të reja të punës.
Ai i bëri komentet në ceremoninë e inaugurimit të zyrave të reja të kompanisë gjermane-kosovare KiKxxl & evroTarget LLC, e cila aktualisht punëson rreth 120 kosovarë, kryesisht të rinj; dhe planifikon ta rrisë këtë numër në 200, së shpejti.
“Me demarkacion vazhdojmë t’i dëshpërojmë qytetarët, por mirë që ekzistojnë ngjarje si kjo”, u shpreh Lluka, duke kritikuar kështu mosratifikimin e Demarkacionit sot në Kuvend, një kusht ky për lëvizjen e lirë të kosovarëve në shtetet e BE-së.
“Kjo kompani ka 120 punëtorë dhe kjo duhet të përshëndetet. Nuk ka patriotizëm më të madh sot sesa të hapim vende pune”, tha kreu i MZhE-së, raporton Ekonomia Online.
Ai lavdëroi punën e mirë që po bën organizata gjermane GIZ, duke mbështetur kompani si kjo. “Të rinjtë janë duke e mësuar gjuhën, ata që punojnë këtu kanë mundësi të dalin edhe në tregun gjerman. Shpresoj që të shoh edhe me mijëra punëtorë”, theksoi Lluka.
Hamdi Malushaj, bashkëdrejtor i “evroTarget”, tha se ideja qe nga Prishtina të kryhen punë në tregun gjerman ka filluar 6 vite më parë.
“Ideja ishte që të kryejmë punë nga Prishtina për tregun e Gjermanisë. Sot jemi kompani që kemi konkurrencë në regjion, jemi kompania me më së shumti poena”.
“Kjo është kompani e përbashkët me ‘Kikxxl dhe evroTarget’. Kemi pasur rastin të thyejmë tabutë, sepse Kosova pak ka pasur mundësi me u tregu jashtë. Jemi të gatshëm me u ballafaqu me sfida”, tha Malushaj, ndërsa shprehu besimin se kompania do të vazhdojë të rritet. “Sepse, tashmë e kemi fituar besimin e kompanive të mëdha gjermane”.
Malushaj tha se të rinjtë e kanë derën e hapur të punësohen në këtë kompani. “Rreth 150 persona janë punësuar dhe disa të tjerë do të punësohen së shpejti”.
Andreas Kremer, drejtor i “KiKxxl”, tha se janë të kënaqur me kualitetin e punëtorëve në Kosovë. “Jam i lumtur që kemi marrë këtë hap për të hapur firmën. Tash me 120 punëtorë, por me perspektivë që të bëhen 200 punëtorë”.
Sipas tij, punëtorët paguhen shumë mirë krahasuar edhe me Gjermaninë.
Bashkim Malushaj, bashkëdrejtor në “evroTarget”, tha se ajo që e ka shtyrë që të vijë nga Gjermania dhe të investojë në Kosovë janë njerëzit e Kosovës. Sipas tij, rinia kosovare ka potencial të madh.
“Çka më motivon mua me ardhë dhe investu në këtë vend? Më motivon populli, njerëzit. Do ta vazhdojmë një rrugë që e kemi nisur. Rinia ka potencial me kry punë. Nuk është vetëm me dal jashtë, por me punu edhe këtu diçka”, u shpreh ai.
Kompania evroTarget LLC me seli në Prishtinë është krijuar në vitin 2011. Pas disa vitesh bashkëpunimi me kompaninë gjermane KiKxxl GmBH, e cila disa herë është shpallur ndër punëdhënësit më të mirë në Gjermani, dy kompanitë krijojnë një partneritet duke themeluar kompaninë gjermane-kosovare “KiKxxl & evroTarget LLC”.
Drejtuesit e kompanisë theksojnë se synimi i tyre është rritja e punësimit në Kosovë, përmes partneritetit.