Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, me të cilën ka biseduar për zhvillimet ekonomike në vend dhe bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve, e veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit.
Ministri Lluka dhe diplomatja Huhtamaki kanë shqyrtuar mundësitë që Finlanda të mbështes sektorin e TIK dhe nxitjen e kompanive finlandeze të kësaj fushe që të jenë prezentë në Kosovë, qoftë edhe përmes hapjes së ndonjë përfaqësie të tyre.
Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për modalitetet e konferencës që pritet që të organizohet në tetor të këtij viti nga Ambasada e Finlandës në Prishtinë, në të cilën akterë të fushës së TIK do të prezantojnë mundësitë që ofron ky sektor në Kosovës.
Nga ana e tij, Ministri Lluka ka njoftuar diplomaten finlandeze me projektet që janë në procesin e realizimit në sektorët që mbulon MZHE, duke u fokusuar në TIK, që vlerësohet ndër sektorët që mund t’i japin shtysë të rëndësishme zhvillim ekonomik.
Kreu i MZHE-së, gjithashtu ka vënë në dukje angazhimin e Qeverisë për të përmirësuar kornizën ligjore dhe institucionale në funksion të përmirësimit të mjedisit për investime të jashtme, çka është pasqyruar edhe në raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare.