Ministri i Zhvillimit Ekonomik , Valdrin Lluka, tregon se nuk ka buxhet për shpronësimin në fshatin Hade të Obiliqit.
Sipas tij, rasti i Shipitullës ishte më ndryshe, me një intervenim urgjent, për shkak të krizës energjetike, raporton Ekonomia Online
“Nuk ka buxhet për shpronësim në Hade. Banka Botërore parasheh që çdo shpronësim të bëhet me marrëveshje. Shipitulla ka qenë një rast më unik, sepse ka qenë krizë energjetike. Ka qenë çështje javësh, sepse kemi qenë në kolaps energjetik. Nuk pres që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Hade”.
“Ne e kemi krijuar një task forcë për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe ajo është në funksion dhe janë të angazhuar t’i ndalin ndërtimet pa leje”, tha Lluka.
Ai këto komente i bëri në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriun, në të cilin u diskutua rreth vendimit të Qeverisë për themelimin e grupit teknik, me qëllim të propozimit të Minierës së Re të KEK-ut.
Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, theksoi se janë afër gjetjes së zgjidhjes për minierën e thëngjillit në fshatin Hade.
“Ne kemi parë sfidën kur kemi qenë para një kolapsi energjetik. Projekti i Kosovës së Re parasheh një minierë të re për të siguruar thëngjill për 40 vitet e ardhshme. KEK-u ka angazhuar një kompani konsulente gjermane, ku na tregon anët negative dhe pozitive ku të marrim thëngjill. Secili opsion që merret, shikohet pakti social dhe ambientalist. Ne morëm vendim që ta krijojmë një grup profesional dhe të merret vendim se nga të shkohet. Në kohë afatgjate, Hadja nuk e ka vendin aty sepse është me thëngjill dhe nuk është e shëndetshme të jetohet aty.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka shprehur shqetësimin se po shkelen të drejtat e banorëve dhe ka kërkuar zgjidhje të shpejtë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit e ka ngritur një shqetësim për fshatrat Hade dhe Shipitullë. Situata në terren dhe të drejtat e banorëve nuk janë në rregull. E shoh që nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Banorët konsiderojnë se kanë mbetur me një oazë. Kjo vonese, nga viti 2004 e deri tash, ka ngritur koston e shpronësimit të banorëve. Nëse vazhdon të ketë vonesa të tilla, do të ndikojë negativisht në anë ekonomike”.
Zëvendësministri i Financave, Mustafë Grainca, nga ana tjetër, tha se po presin vendimin dhe në përputhje me të do ta japin zgjidhjen më të mirë.
“Ne si ministri jemi në pritje të një vendimi të drejtë për këtë çështje dhe konform kësaj do të gjejmë një zgjidhje adekuate për qytetarët e Kosovës”.
Përfaqësuesi i fshatit Hade, Ragip Grajçevci, tha se rekomandimet e nxjerra nga komisionet përkatëse nuk janë implementuar asnjëherë. Sipas tij, për Haden, deri tash nuk ka pasur zgjidhje.
“Ne kemi nxjerr disa rekomandime mirëpo asgjë nuk është zbatuar. Nuk e di a jemi pengese apo jemi pjesë e procesit të zhvillimit të energjisë elektrike. Ne jemi të parët që përballemi probleme, mirëpo të fundit që pyetemi. Ju lutem, ndajeni termin zgjidhje për Hade dhe Shipitullë, sepse për Hade nuk është bërë zgjidhje”, ka thënë Grajçevci.