Minstri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me rastin e Ditës Botërore të Ujit përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se mb 84% e popullatës kanë mbulueshmëri me rrjet publik të ujësjellëst por që në mandatin e tij kjo shifër do të arrijë në 100%.
Lluka ka thënë se po ndërrmarrin hapa në krijimin e digave të reja për krijimin e rezervave të ujit.
Postimi i plotë i minstrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka:
“Sot është Dita Botërore e Ujit
Sot në Ditën Botërore të Ujit duhet të thuhet se uji nuk është i domosdoshëm vetëm për shuarjen e etjes dhe mbrojtjen e shëndetit tonë nga papastërtia, por është jetik për krijimin e vendeve të punës dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik, social dhe njerëzor.
Qasja në ujë të pijshëm dhe kanalizime është thelbësore për të jetuar një jetë me dinjitet dhe për të ruajtur të drejtat e njeriut.
Aktualisht gjendja në sektorin e ujërave në nivelin global është mjaft shqetësuese. Sipas të dhënave, rreth 2 miliardë banorë nuk kanë qasje në ujë të pijshëm.
Vlerësohet se në vitet e ardhshme, sidomos në vendet në zhvillim, problemi i furnizimit me ujë do të thellohet gjithnjë e më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së popullsisë globale. Për këtë kërkohet masa urgjente, si për rritjen e investimeve në infrastrukturën ujore dhe në konservimin e resurseve ujore, ashtu edhe në skemat e riciklimit të ujit.
Në Kosovë mbi 84 % të popullatës kanë mbulueshmëri me rrjet publik. Rreth 7% kanë sisteme të ujit por janë në proces të bartjes së rrjetit të tyre në menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Ndërsa, rreth 8% të banorëve nuk kanë qasje në ujësjellës dhe furnizohen me sisteme vetanake, kryesisht bunarë. Ne së bashku me komunitetin e donatorëve, jemi duke financuar programin për zgjerimin e shërbimeve të ujit në zonat rurale.
Ne do të mbulojmë 100% të familjeve kosovare me rrjet publik të ujësjellësit, por problem është tek resurset e paktat të ujit në Kosovë. Rritja e popullsisë, ndryshimet klimatike dhe zakonet e konsumit po i zvogëlojnë edhe më tej resurset e ujit.
Ne po punojmë për të siguruar kapacitete të mjaftueshme të ujit duke ndërmarrë hapa në ndërtimin e digave të reja për krijimin e rezervave të ujit për zhvillimin e resurseve të reja për të përmbushur nevojat e qytetarëve për ujë të pijes, ujitje dhe zhvillimi të përgjithshëm socio-ekonomik. Jemi të obliguar që t’i qasemi seriozisht këtij sektori meqë të gjitha politikat zhvillimore ndërlidhen me këtë sektor”.