Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Ndërmarrjen Hidroekonomike “Iber-Lepenc” sh.a. në Prishtinë, me ç’rast u takua me Kryeshefin Ekzekutiv, Januz Kabashi, nga i cili u njoftua për gjendjen në këtë ndërmarrje dhe sfidat me të cilat ballafaqohet.
Kryeshefi Kabashi informoi Ministrin Lluka se NH “Iber-Lepenc”, e cila ushtron veprimtari për furnizim me ujë të papërpunuar, gjenerim të energjisë elektrike si dhe ujitjen, është ndërmarrje shumë rentabile, pa probleme në menaxhim, e cila asnjëherë nuk ka pasur nevojë për ndihmë financiare nga aksionari, respektivisht Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ai bëri të ditur se në periudhën Janar-Nëntor 2017, fitimi operativ i ndërmarrjes ishte rreth 12.3 %” dhe të hyrat për vitin 2017 janë realizuar 0.98% më shumë se plani dhe në krahasim me vitin e kaluar 7.71% më shumë.
Gjatë takimit u diskutua edhe projekti i Bankës Botërore, i cili kap vlerën prej 22 milionë euro, 7 prej të cilave do të jenë investim në rezervarin e Mihaliqit dhe 15 milionë të tjera kredi, me “grejs” periudhë prej 5 viteve.
Ministri Lluka premtoi se MZHE sa më shpejtë që është e mundur do të përmbushë të gjitha obligimet që ka, ku hyn edhe themelimi i Komitetit Drejtues në mënyrë që ky projekt të ecë përpara.
Kreu i MZHE-së ka vlerësuar performancën pozitive të kësaj kompanie, duke ritheksuar se orientimin e institucionit që drejton është që NP-të të përmirësojnë performacën e tyre në funksion të përmirësimit të shërbimeve dhe vet qëndrueshmërisë financiare.
Ndryshe, çështjet tjera që u trajtuan në takim ishin edhe Projekti i fizibilitetit të Lepencit, i cili vlerësohet me rëndësi strategjike për vendin, problemet që lidhen me borxhet që kanë ndërmarrjet tjera publike ndaj ndërmarrjes dhe kontrata me KESCO.