Loja luftas e Kurtit sipas skemave serbo-ruse

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 01:04 | Nga Milazim KRASNIQI

Sipas radio Gorazhdevcit, TV Pinku kishte publikuar lajmin se gjoja në veri kishin filluar luftimet dhe se kishte të vrarë e të plagosur.

Citohet njoftimi i transmetuar nga Tv Pink: “sipas fjalëve të drejtorit të KBC Mitrovica e Kosovës, Millan Ivanoviqit, kanë mbërritur në spital të plagosurit e pare, të cilëve nuk u dihet numri”.

Më tutje citohet që në atë njoftim të TV Pinkut të jetë thënë: “kjo është hyrje në fillimin e konfliktit të armatosur.” Sipas radio Gorazhdecit, ndër të pavërtetat e këtij njoftimi është edhe se drejtori nuk është Millan Ivanoviqi, po Zllatan Elek.

Çka do të thotë kjo propagandë lufte e TV Pinkut, medies kryesore te kontrolluar nga Vuçiqi?

Kjo do të thotë se makineria e Serbisë ka qenë e përgatitur për ta provokuar konfliktin e armatosur dhe kanë pritur se do të ndodhte. (E evitoi në momentin e fundit ndërhyrja e ambasadorit amerikan, Hovenier)

Konflikti do të ndodhte, sepse ai është projekt aktual i Serbisë dhe Rusisë. Kjo është e qartë. Çka nuk është e qartë? Nuk është e qartë , pse qeveria Kurti po bën hyxhym të futet në skemën e tyre të konfiktit?!

Çfarë zavalli ka? A bash nuk po mundka të shtyhet për disa muaj problemi i tabelave e letërnjoftimeve, a?

Kur është toleruar kjo gjendje tash 23 vite, a hiq nuk po bëka që të shtyhet deri sa Serbia të ballafaqohet me presionin Perëndimit për sanksione kundër Rusisë a? Pse të mos pritet deri sa të formohet qeveria e re e Serbisë?

Me këto incidente Vuçiqit po i ndihmohet që të formojë qeveri lufte, e jo qeveri proevropiane.

Fatkeqësisht, kjo është hera e dytë që qeveria Kurti po e sjellë vendin në buzë të konfliktit për një gjë administrative, teknike, siç është puna e tabelave e veturave.

Ky është aventurizëm i rrezikshëm. Nuk e di a nga padituria a nga ndonjë axhendë okulte, por i rrezikshëm në të dyja rastet. Prandaj për çdo qytetar të këtij vendi kjo politikë duhet të paraqesë shqetësim. Më së shumti për ata që e kanë votuar këtë qeveri, me shpresë për të ardhme më të mirë, e jo për të luajtur lojëra luftas brenda oborrit tonë, sipas skemave serbo-ruse.

Të ngjashme