Lufta për ujë: ShBA-ja ia pezullon ndihmat Etiopisë për shkak të digës në Lumin Nil

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar një pjesë të ndihmave financiare për Etiopinë për shkak të mungesës së përparimit në bisedimet me Egjiptin dhe Sudanin rreth digës masive që Etiopia është duke e ndërtuar në Nilin e Kaltër.

Etiopia, Sudani dhe Egjipti janë përplasur për një kohë të gjatë shkaku i mbushjes dhe operimit të digës së Etiopisë. Mosmarrëveshja vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ndonëse mbushja e rezervuarit të digës ka filluar në muajin korrik.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha agjencisë Associated Press se vendimi për pauzim të përkohshëm të një pjese të ndihmave ndaj një aleati kyç për sigurinë rajonale e reflekton shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për vendimin e njëanshëm të Etiopisë për fillimin e mbushjes së rezervuarit para një marrëveshjeje dhe para zbatimit të të gjitha masave të nevojshme të sigurisë.

Etiopia e cilëson këtë digë si jetike për sektorin e energjisë dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit, por Egjipti dhe Sudani e vlerësojnë atë si kërcënim serioz për furnizimin e tyre me ujë, shkruan Al Jazeera

Ende nuk është e qartë sa milionë dollarë janë pezulluar nga ndihma amerikane për Etiopinë ose sa gjatë do të zgjasë ky pezullim. Megjithatë, një burim nga Kongresi për agjencinë Reuters tha: “Deri 100 milionë dollarë ose një shumë e ngjashme me këtë do të preken. Nga këto, 26 milionë dollarë janë fonde që u skadon afati në fund të vitit fiskal”.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për pezullim e ndihmave financiare erdhi pasi tri shtetet afrikane dështuan të premten e kaluar që të arrijnë marrëveshje për menaxhimin e digës pas dhjetë ditësh bisedime.

Departamenti i Shtetit tha se fillimi i mbushjes së rezervuarit para zbatimit të masave të nevojshme të sigurisë krijon rreziqe serioze për popullatën e vendeve që shtrihen në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit.

Të ngjashme