Lumëbardhi edhe vitet e ardhshme do të sjellë në Pejë ujërat e zeza të Rugovës

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Treva e Rugovës, e cila përbën gjysmën e territorit të gjithë komunës së Pejës, ende është pa kanalizime dhe pa impiante dhe të gjitha ujërat e zeza të 14 fshatrave derdhen të lira në natyrë, në Lumëbardhë, në ndonjë gropë septike, që rrallë kush e ka nga objektet hoteliere dhe shtëpitë private, dhe ato ujëra të zeza përfundojnë në ujërat nëntokësorë dhe të gjitha në një formë apo tjetrën bashkë po e ndotin Lumëbardhin në tërë rrjedhën e tij në Rugovë.

Vizioni i Komunës së Pejës për ujin e pastër të Lumëbardhit në gjithë rrjedhjen e tij në territorin e kësaj komune, do të jetësohej po të mos ishte treva e Rugovës, në të cilën as në tri vitet e ardhshme komuna nuk planifikon investime për ndërtimin e kanalizimeve dhe impianteve.

Në kornizën afatmesme buxhetore për tri vitet e ardhshme 2020-2022 nuk figuron asnjë cent për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në këtë trevë. Për kanalizime në qytet dhe fshatra, në ato raste ku zgjidhet problemi me qasje në kanalizim kryesor, në planin tre vjeçar të kësaj kornize afatmesme buxhetore figurojnë të planifikuara 200 mijë euro për vitin 2020, 250 mijë për vitin 2021 si dhe 200 mijë euro për vitin 2022, dhe në këtë vijë buxhetore nuk përmendet askund Treva e Rugovës, sikurse që nuk përmendet as në planifikimin e ndërtimit të impianteve nëpër fshatra, për të cilat në vitin 2020 nuk është e planifikuar asnjë euro, derisa për vitin 2021 janë të planifikuara 300 mijë euro dhe 1.5 milion euro në vitin 2022.

Me këto 1 milion e 800 mijë euro, siç shkruan në kornizën afatmesme buxhetore parashihet që të fillohet zgjidhja për ujera të zeza në fshatrat e komunës së Pejës, duke lënë krejtësisht jashtë këtij territori fshatrat e Rugovës, shkruan KOHA. 

Mungesën e investimeve për trajtimin e ujërave të zeza në trevën e Rugovës, rugovasit e shohin problematike për mjedisin dhe vetë fshatrat e tyre, por ndyrësirat e ujërave të zeza të Rugovës, sipas tyre do i ndjejë Peja më tepër.

“Nuk e di si donë me ia bë shehri poshtë se të gjitha ujërat e zeza të Rugovës iu shkojnë atyre poshtë. Se ne mbesin paq këndej, se ndyrësirat e ujit iu shkojnë atyre poshtë”, shprehet paksa me sarkazëm Agron Nikçi, kryetari i Bashkësisë Territoriale “Rugova 1”, që mbulon shtatë fshatrat e poshtëm të Rugovës, për mungesën e investimeve në kanalizime dhe impiante në Rugovë.

Megjithatë, ai e sheh tepër problematike mungesën e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të zeza.

Nikçi nuk është aq shumë ithtarë i ndërtimit të impianteve në Rugovë, por zgjedhje më të pastër për mjedisin dhe lumëbardhin ai e sheh me ndërtimin e një rrjeti të kanalizimit, i cili do të çonte poshtë në qytet ujërat e zeza.

“Edhe nëse ndërtohen impiantet ato ujëra të zeza edhe pse jo në papastërtinë fillestare, serish disi përfundojnë në Lumëbardhë apo edhe ndotin ujërat nëntokësor. Se edhe nga impianti uji që del nuk mund të jetë 100 për qind i pastër dhe ato të ndërtohen afër lumit nuk e shoh si zgjidhje. Zgjidhje e pastër kishte me qenë ndërtimi i një rrjeti kryesor të kanalizimit në të cilin do të kyçeshin të gjitha fshatrat dhe pastaj gypi kryesor të binte në Pejë dhe të kyçej në gypin kryesor të kanalizimit në qytet, që qon ujërat e zeza në impiantin që do të ndërtohet në afërsi të Gorazhdevcit”, tregon Nikçi idenë më të kapshme për trajtimin e ujërave të zeza, e cila sipas tij e kishte zgjidh edhe problemin e ndotjes së mundshme të ujërave nëntokësor, të lumit dhe të mjedisit në Rugovë.

Se çfarë zgjidhje do të ishte nuk është edhe fort e rëndësishme, por sipas Flamur Rexhbogaj, kryetar i Bashkësisë territoriale “Rugova 2”, që mbulon shtatë fshatrat e Pejës së epërme të Rugovës, më rëndësi është që në Rugovë të investohet me projekte të trajtimit të ujërave të zeza.

“Me të vërtetë mungesa e kanalizimit në fshatrat e Rugovës paraqet problem serioz. Të gjitha kanalizimet ekzistuese derdhen në Lumëbardhë, mu për shkak të mungesës së një kanalizimi të rregullt dhe një impianti që do t’i trajtonte ujerat e zeza”, thotë Rexhbogaj. Ai tregon se për këtë gjendje që është në Rugovë nga ujërat e zeza, ka diskutuar disa herë edhe me kryetarin e Komunës.

“Na ka thënë se deri në vitin 2021 komuna nuk ka mundësi buxhetore për ta realizuar ndërtimin e impiantit, por na ka premtuar se do të mundohet që në vitin 2021 ta ndërtojë impiantin dhe kanalizimin në Rugovë se deri atëherë nuk ka mundësi buxhetore komuna”, tregon Rexhbogaj për premtimet e kreut të Komunës, Gazmend Muhaxherit, që ua ka dhënë, pa u treguar se nga do vijnë ata miliona euro, që ne planifikimet buxhetore tri vitet e ardhshme nuk figurojnë për këtë projekt. E jo vetëm deri në vitin 2021 por as në vitin 2022, së paku sipas planifikimeve buxhetore, komuna nuk do të merret me kanalizime dhe trajtim të ujërave të zeza në Rugovë dhe që jepet ndonjë shpresë në komunë që një investim i tillë mund të ndodh shpejtë dhe të shpëtojë edhe faunën e Lumëbardhit nga ndotja prej ujërave të zeza, e cila sipas ambientalistit rugovas, Fatos Lajçi, do të vdesë nëse nuk veprohet shpejtë.

E ky veprim do të zvarritet me vite, pasi në komunë aktualisht nuk kanë projekt për kanalizime dhe impiant në Rugovë.

“Për momentin nuk ka asnjë projekt për kanalizime dhe impiante në Rugovë”, thotë drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi.

Mungesa e këtyre projekteve, që kanë kosto milionëshe, siç thonë në komunë ka të bëjë edhe me buxhetin e komunës, i cili sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, nuk mund e zgjidhë problemin e ujërave të zeza në Rugovë.

“Nuk pritet zgjidhje së paku dy vitet e ardhshme. Vështirë që mund të bëhet diçka dhe të gjendet ndonjë zgjidhje me buxhetin e komunës. Nuk ka mundësi të investojë komuna në projekte të tilla në Rugovë. Me buxhet komunal nuk mund të zgjidhet trajtimi i ujërave të zeza në Rugovë”, thotë Abazaj, i cili përmend një projekt italian, që kishte dal nga një studim i fizibilitetit për kanalizim dhe trajtimin e ujërave të zeza në Rugovë me ndërtimin e impianteve.

Në mars të vitit 2017, që ishte edhe vit i zgjedhjeve lokale, komuna kishte prezantuar publikisht një studim të fizibilitetit për kanalizim dhe trajtimin e ujërave të zeza për Rugovë dhe Podgur, me idenë që me ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza të mbrohet Lumëbardhi dhe Drini nga burimi i tyre. Këtë studim e kishin bërë disa inxhinierët italian të provincës autonome Trento, bashkë me inxhinier të komunës së Pejës. Dhe kur është prezantuar ky projekt edhe para komunitetit rugovas në sallën e Kuvendit Komunal, kryetarit i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kishte deklaruar se prioritet i komunës në të ardhmen do të jetë mbrojtja e natyrës.

“Ideja është që të mbrohet Lumëbardhi nga burimi i tij në Bjeshkët e Rugovës si dhe Drini i Bardhë nga burimi i tij në Radavc”, u kishte thënë Muhaxheri qytetarëve nga këto zona të pranishëm në atë prezantim. Këto premtime për Rugovë, sa i përket trajtimit të ujërave të zeza, përfundojnë te “sharra” mbi Patrikanë, ku edhe fillon ndotja e Lumëbardhit në qytet nga ujërat e zeza që i sjellë nga Rugova. Kurse ndërtimi i kanalizimit për fshatrat e Podgurit (Radac, Novosellë, Ozdrim, du Dubovat, dy Jabllanicat…) veç ka nis të realizohet, por jo me investime nga buxheti komunal.

“Është investim kapital në projektin e kushtueshëm të kanalizimit në fshatrat e Podgurit nga Ministria e Mjedisit. Ky kanalizim pastaj lidhet me kanalizimin kryesor”, thotë drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi.

Të ngjashme