Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se rrugëtimi i tij politik dhe i subjektit që ai drejton është më shumë se një garë zgjedhore, duke e cilësuar atë si një “mision historik” për të ardhmen e Kosovës.
Në një postim publik, Abdixhiku u shpreh se ky mision synon të përmbyllë sakrificat e brezave të mëparshëm dhe të forcojë shtetin e Kosovës, duke e bërë atë jo vetëm të pavarur dhe të njohur, por edhe të respektuar ndërkombëtarisht.
Ai theksoi se vizioni i tij për vendin është një Kosovë më e bashkuar, më e drejtë, më e zhvilluar, më e pasur dhe më krenare, që ecën krah aleatëve të saj dhe beson në vetvete.
“Republika e Kosovës është ëndrra që kam”, u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se synimi është që qytetarët të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai u bëri thirrje qytetarëve për bashkim, duke theksuar rëndësinë e unitetit për familjen, shtetin dhe Republikën e Kosovës.

