Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por Asociacioni s’guxon të ketë mandat ekzekutiv. Ajo po ashtu ka thënë se Serbia nuk do të mundë të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën
Qeveria e Kosovës duhet ta paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por ky Asociacion nuk guxon të ketë mandat ekzekutiv.
Kështu ka deklaruar gjatë një interviste të botuar në gazetën “Zëri” ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek, duke shtuar se qeverisja lokale dhe bashkëpunimi midis komunave duhet të jetë i pavarur nga përkatësia etnike e popullsisë.
Gjatë kësaj interviste ish-nënkryetarja e Parlamentit Evropian ka folur edhe për raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës në rrugën e integrimit evropian të të dyja vendeve.
Sipas saj, asnjë qeveri e një shteti anëtar të BE-së nuk do të jetë e gatshme për të pranuar një shtet tjetër me kufij të paqartë në Bashkimin Evropian pas pranimit të shtetit të ndarë të Qipros më 2004-n dhe për këtë arsye duhet të ketë njohje të Kosovës nga Serbia.
Ajo thotë se do t’i pëlqente që gjashtë shtetet e Evropës Juglindore të pranoheshin në të njëjtën kohë në BE, sepse siç thotë politikania austriake kjo do të eliminonte rrezikun e bllokadave të ndërsjella në procesin e anëtarësimit, por e pranon se kjo aktualisht nuk është realiste.