Sami Lushtaku tha se kandidati i PDK-së, Enver Hoxhaj është alternativa më e mirë për ta drejtuar Qeverinë e Kosovës, përcjell Ekonomia Online.
“Sot, në takimin e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, me unitet të plotë, kemi caktuar profesorin e nderuar, ushtruesin e detyrës së kryetarit të partisë, z.Enver Hoxhaj, si kandidat për kryeministër të vendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen së shpejti. Në cilësinë e nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë por edhe si kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, e mbështetës fuqishëm këtë kandidaturë të zotit Hoxhaj për kryeministër të vendit”, shkruan ai.
Tutje, Lushtaku tha se PDK-ja së shpejti do të publikojë listën e kandidatëve për deputetë.
“Profesor Hoxhaj është pa dyshim kandidati më i mirë, i cili me bagazhin e tij akademik e profesional, do të jetë alternativa më e mirë për ta drejtuar qeverinë e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës së shpejti do të paraqesë edhe listën e kandidatëve për deputetë, me figura të shquara të cilat do të jenë zëri më i mirë i qytetarëve të vendit në parlamentin e Kosovës”, shtoi ai.