Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ka reaguar me një postim publik ku thekson se gjithmonë i është përgjigjur institucioneve të Republikës së Kosovës dhe drejtësisë, duke deklaruar se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar edhe sot.
Ai u shpreh se respekton institucionet e vendit, për të cilat, sipas tij, ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë dhënë kontribut dhe sakrificë të madhe. Në deklaratë, ai theksoi se bashkëpunimi me institucionet shtetërore është parim i tij i vazhdueshëm.
Postimi i plotë:
Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit. Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë.
I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka.
Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.
Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!