Lushtaku pas aktgjykimit: U vërtetua pafajësia ime për çdo akuzë

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin “Drenica 1”, duke thënë se me këtë aktgjykim përmbyllen proceset gjyqësore që, sipas tij, kanë zgjatur 13 vjet.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku tha se aktgjykimi konfirmon pafajësinë e tij ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin ‘Drenica 1’, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it”, ka shkruar ai.

Lushtaku tha se proceset gjyqësore ndaj tij kishin nisur para 13 vitesh dhe se, sipas tij, synonin dënimin e tij përmes akuzave të mbështetura në deklarata dhe dëshmitarë të rremë.

“Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm. Sot, sikurse në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata vërtetoi pafajësinë time duke më shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë”, është shprehur ai.

Lushtaku falënderoi familjen, bashkëluftëtarët, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, e kanë mbështetur gjatë gjithë procesit.

“Falënderoj familjen time, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë qytetarët që më kanë qëndruar pranë e nuk e kanë humbur asnjëherë besimin tek unë. Mbështetja juaj e vazhdueshme ka qenë forca ime gjatë gjithë kësaj periudhe. Faleminderit përjetësisht!”, ka shtuar Lushtaku.

Të ngjashme