Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se problemi me Serbinë është krejtësisht territorial dhe mund të zgjidhet duke shkëmbyer territor, rrjedhimisht duke i kthyer kufijtë sipas atyre të vitit 1956.
Duke folur në Info Magazine të Klan Kosovës, Haziri deklaroi se ideja e shkëmbimit të territoreve vetëm po replikohet. “Ne me Serbinë kemi problem territorial dhe pa u zgjidhur kjo gjë, nuk mund të ketë paqe dhe qetësi. Duhet që të kthehen kufijtë në bazë të kriterit demografik, sepse në vitet e 50-ta Serbia mbi këtë parim ka bërë riorganizim territorial. Pse shqiptarët e Luginë së Preshevës të mos bashkohen me shtetin e tyre, sepse edhe atëherë i kanë takuar Kosovës”.
Ai ka deklaruar se integriteti territorial i Kosovës është i garantuar dhe provokimet e Serbisë duhet të shikohen në kontekst populist të liderëve serbë.
“Ardhja e sekretarit të NATO vjen në kohën kur Republika jonë është cënuar si rrjedhojë e një agjende politike që Serbia e ka për konsum të brendshëm. Dy takimet në Bruksel dhe vizitat e fundit sigurojnë stabilitetin në vend. NATO është garantues – forcë që detyron paqen. Prezenca e sekretarit të saj në Kosovë sot tregon forcën e aleancës përkundër krizave të ndryshme”.
“Heqja e murit është çështje kohe. Nuk duhet lejuar ngritja e barrierave dhe ngritja e mureve. Duhet që serbët ta kuptojnë që zhbllokimi i urës nuk lejon ngritje të barrierave”.
“Në këtë fazë është dialogu mekanizmi i vetëm që zgjidhë problemet. Ka një komplikim në këtë çështje. Sepse zakonisht kur qeveria bie vendim për diçka, komuna merret me ekzekutimin. Por në këtë rast komuna e ka pjellë këtë problem”.
“Partia që sot udhëheq Serbinë është ndërtuar në slogane dhe populizma. Atyre po u duket se presidenti i ShBA-së do të bëhet aleat i serbëve në Ballkan, megjithëse pritjet janë se nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi të qasjes amerikane në këtë territor. Zërat populist në Europë janë kërcënim dhe janë në rritje”.