Termocentrali “Kosova e Re” llogaritet të jetë investimi më i madh i huaj në Kosovë me vlerë prej 1.3 miliard eurosh. Po ashtu, është llogaritur që gjatë ndërtimit të këtij termocentral do të punësohen 10 000 persona.
Ka pasur kritika të vazhdueshme për këtë projekt nga Lëvizja Vetëvendosje dhe shoqëria civile. Gjithashtu, LV-ja kishte publikuar tetë arsye pse duhet të ndalet marrëveshja me “Contour Global”. Sot as LV-ja dhe as LDK-ja nuk kanë një qëndrim të qartë për Termocentralin “Kosova e Re”. Një burim i gazetës “Epoka e re” brenda LDK-së ka bërë me dije se është diskutuar për këtë projekt, por që palët nuk kanë arritur të merren vesh. Ka mbetur që për këtë temë të diskutojnë liderët e këtyre dy partive.
Më 20 dhjetor të vitit 2017 është nënshkruar marrëveshja komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë ‘Contour Global’. Termocentrali “Kosova e Re” llogaritet të jetë investimi më i madh i huaj në Kosovë me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh, po ashtu është llogaritur se nga ky
Lidhur me këtë projekt nuk kanë pranuar të flasin as përfaqësues të LDK-së dhe as të LV-së. Gazeta “Epoka e re” ka provuar të marrë prononcime të ekspertëve të ekonomisë nga të dy grupet punuese, porse kanë se janë pajtuar që mos të flasin për këtë çështje deri në realizimin e marrëveshjes finale.
Por, një burim i gazetës “Epoka e re” brenda LDK-së ka bërë me dije se është diskutuar për këtë projekt, por që palët nuk kanë arritur të merren vesh. Sipas po këtij burimi, ky projekt është lënë në duart e liderëve politikë të dy partive që të vendosin për këtë çështje. “Është diskutuar nga grupet punuese ky projekt, por nuk ka konkretizime dhe duhet të diskutohet në nivel politik në mes të liderëve të partive”, ka thënë për gazetën ky burim.
Lluka: Jam i gatshëm çdo herë t’u jap informata dhe sqarime lidhur me TC “Kosova e Re”
Për këtë çështje ka folur ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluk, në mandatin e të cilit është arritur marrëveshja komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Lluka ka theksuar se ky projekt është i rëndësisë jetike për Kosovën dhe ka apeluar te qeveria e ardhshme që të vazhdojë me këtë projekt. Ai ka thënë se është i gatshëm çdoherë të japë çfarëdo informata lidhur me këtë pasi, sipas tij, ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime nga kundërshtuesit e këtij projekti.
“Ky projekt është jetik për Kosovën. Ne kishim probleme serioze të reduktimit me energji pasi blloku ‘B1’, ‘B2’ dhe ‘A3’ kanë rënë nga sistemi në formë të paplanifikuar për shkak të vjetërsisë së aseteve. Si rrjedhojë, bizneset dhe qytetarët janë duke e paguar këtë. Mendoj se është obliguese që qeveria e ardhshme t’i vazhdojë projektet që kanë të bëjnë me energji, pra me format konvencionale, duke i zëvendësuar të vjetruarat me teknologjitë e reja. Investimi i fundit që kemi bërë ka qenë në vitin 1954. Pas kaq vitesh duhet të mendojmë që të kemi energji stabile për qytetarët dhe bizneset. E kuptoj se ka pasur kritika në vazhdimësi nga aktivistë të Vetëvendosjes, por është me rëndësi që këto kritika dhe paqartësi të diskutohen me ne. Jam i gatshëm çdoherë t’u jap informata dhe shumë shpesh ka ndodhur të keqkuptohen lidhur me këtë. Do të ishte me rëndësi që të kuptohet para se të vazhdohet me çfarëdo vendimi. Kam shprehur gatishmërinë të jem i hapur në mënyrë që të gjitha informatat t’ua vë në dispozicion, edhe ato të cilat nuk kanë qenë publike mund t’i hapim dhe t’i diskutojmë”, ka thënë Lluka, duke shtuar se Kosova ka nevojë jashtëzakonisht të madhe për energji elektrike.
“Në pesë vjetët e fundit kishim rritje të madhe të konsumit të energjisë mbi 20-25 për qind dhe kjo tregon se duhet të përgatitemi për të ardhmen duke mos anashkaluar në asnjë formë mjedisin dhe energjinë e ripërtërishme, që duhet të jetë prioritet numër një. Për energji stabile duhet të kemi format konvencional siç është thëngjilli. Ka raste të tjera kur është dhe gazi, por ne nuk kemi lumenj të mëdhenj dhe asnjë burim tjetër përveç thëngjillit, prandaj palët duhet të kenë kujdes të mendojnë se neve na duhet një energji stabile bazë dhe pjesën tjetër ta zëvendësojmë, pra atë me energji të ripërtërishme. Kosova është vendi i pestë në botë me rezerva të linjitit, që janë mbi 13 miliardë tonë. Konsumi ynë vjetor është 8 deri në 10 milionë tonë. Do të thotë, kemi energji edhe për 150 vjet. Ka rezerva të jashtëzakonshme. Normalisht se thëngjilli nuk është forma më e mirë për ambientin, por tanimë teknologjia ka avancuar dhe sot kemi teknologji që kompakt e marrin dhe CO2 dhe nuk e lënë të dalë në ambient. Në fakt, shumë më shumë do të ketë dëm nëse mbesim me Termocentralin ‘Kosova A’ pasi ‘Kosova B’ do të futet në filtra. ‘Kosova A’ është shumë e vjetruar dhe çdo formë e zëvendësimit do ta shkaktojë ndotjen më të vogël. ‘Kosova e Re’ nuk duhet të shihet vetëm si një mjet për energji, por duhet të shihet edhe si mbrojtje për ambient dhe si përmirësim i ambientit realisht”, u shpreh Lluka.
Gërxhaliu: Të lihen anash lobingjet dhe të punohet për interesa ekonomike të vendit
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhali, ka apeluar që mos të ndërpritet ky projekt. Sipas tij, duhet të shikohet rëndësia e vendit dhe të lihen anash të gjitha lobingjet kundër këtij projekti.
“Duhet të kuptohet se agjenda politike dhe kalkulimet politike janë mbi ato ekonomike. Në një situatë të tillë pëson qytetari i Kosovës dhe sektori privat. Unë mund ta kuptoj shoqërinë civile dhe të gjithë të kërkojnë dialogim më të madh dhe llogaridhënie dhe që përmes këtij dialogu t’i qasemi me seriozitet termocentralit qoftë “Kosova A”, qoftë “C”, derisa Maqedonia me pak thëngjill është duke ndërtuar termoelektrana. Po ashtu, edhe Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina e Serbia. E si mund të ndodhë që në Kosovë të jemi vendi më i pasur me thëngjill dhe të mos kemi kapacitete gjeneruese të mjaftueshme. Andaj, duhet të lihen anash interesat e lobingjeve të caktuara dhe për hir të interesit të vendit mos të mbesim peng i këtij projekti dhe reduktimeve me energji elektrike kur dihet se Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit me energji elektrike. Kosova ka nevojë për investime të huaja dhe qeveria e ardhshme duhet të jetë fleksibile në këtë drejtim”, është shprehur Gërxhaliu.