Kjo javë ka qenë dinamike në aspektin e fushatës zgjedhore. Kemi pasur disa momente ‘kritike’ rreth partive kryesore. Në përgjithësi, gara po intensifikohet, por ende fryma apo drejtimi final i zgjedhjeve nuk është përcaktuar; është në formësim e sipër.
Trendet kryesore duken të pandryshueshme. LVV duket se po tkurret natyralisht pas suksesit spektakular në zgjedhjet e vitit 2021. Nga ana tjetër, opozita po rikuperohet nga baza thuajse më e ulët e saj historikisht.
LVV
Lëvizja Vetëvendosje, e cila është protagonisti kryesor në zgjedhjet e 9 shkurtit, është në kërkim të identitetit të saj zgjedhor për vitin 2025. Ajo duket e habitur, pasi për herë të parë po garon nga një pozitë pushteti. Kjo e bën të vështirë punën për Kurtin dhe ekipin, sepse është një pozitë jo-natyrale për ta. Kë do të fajësojnë tani kur kanë qeverisur vetë prej katër vitesh?
Gjatë javës, LVV prezantoi kandidatët për deputetë. Nuk kishte ndonjë befasi. Kurti vazhdoi të mbrojë dhe përkrahë ministrat dhe njerëzit e tij, të cilët tashmë janë të rankuar lart në listën e kandidatëve.
Stili i kryeministrit gjatë qeverisjes ka qenë, jo domosdoshmërisht i një menaxheri të mirë që kërkon llogari, por i një familjari ose dostit, mbase një ‘daje’, që mbron njerëzit e tij (ministra, pjesëtarë të partisë) edhe kur ata gabojnë. Ky mund të jetë virtyt i mirë njerëzor, ndoshta, por në menaxhim dhe qeverisje mund të hakmerret, sepse këtu menaxhon para publike, jo të xhepit privat apo të familjes.
Befasisht, LVV nuk prezantoi ende asnjë program. Kjo është e pazakontë dhe një indikator i krizës së identitetit dhe strategjisë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Të prezantosh kandidatët por të mos kesh asnjë program, projekt, ofertë apo vizion, është e pazakontë dhe indikatori i parë negativ për LVV në këto zgjedhje.
Albin Kurti ofroi më shumë zhurmë dhe retorikë sesa zgjidhje për qytetarët. Në fakt, asnjë zgjidhje konkrete nuk u ofrua. Për shembull, problemi më i madh i ekonomisë kosovare, deficiti tregtar në mallra prej -5 miliardë eurosh në vit, nuk u adresua fare. Po ashtu, nuk u përmend as ajri toksik që po thithin fëmijët tanë. “Ju dua, na votoni!” ishte mesazhi. Dëshirojmë ‘500 mijë vota’, duam 70%, por nuk ofrojmë asgjë në këmbim.
Kurti dhe LVV kanë shumë pak kohë për të rikuperuar këtë mangësi dhe për t’u bërë pjesë e ‘lojës’, duke shtjelluar dhe prezantuar programin, projektet dhe zgjidhjet për mandatin e ardhshëm 2025-2029. Kjo do të ndihmonte partinë më të madhe në Kosovë të menaxhojë tkurrjen dhe të mos shokohet nga rezultatet eventuale të zgjedhjeve.
Mbi të gjitha, LVV i ka borxh publikut, 50% të votuesve të vitit 2021, të paraqitet si një parti serioze dhe të fokusohet në zgjidhjen e problemeve dhe sfidave të shumta të shoqërisë, qytetarëve, ekonomisë dhe bizneseve kosovare… para se t’i kërkojë 70% e 500 mijë vota!
LDK
Kur je në opozitë, ke përparësi… dhe këtë po e shfrytëzon menaxhmenti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo parti ka qenë shumë aktive kohët e fundit. Ata janë ndër të parët me aktivitete, ambicie, dhe investime për zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo nuk është befasi, pasi janë në një pozitë sfiduese dhe duhet të fillojnë këtë garë nga një bazë prej rreth 110 mijë votash në zgjedhjet e vitit 2021.
Deri tani, LDK duket të jetë partia më e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Ata kanë zhvilluar një program të elaboruar “Rruga e Re” dhe kanë mbajtur dhjetëra aktivitete në të gjithë Kosovën. Gjithashtu, gjatë javës, kanë organizuar tubime me rininë dhe gratë. Por baza e ulët nga viti 2021 mbetet sfida kryesore e LDK-së.
PDK
Partia Demokratike e Kosovës ka qenë më e heshtur në publik gjatë javës, me më pak tubime elektorale krahasuar me dy partitë e tjera kryesore. Ata duket se janë ‘hendikepuar’ nga zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në përgjithësi, fushata po hyn në fazën më të ‘nxehtë’, ku dinamika pritet të intensifikohet më tej. LVV duhet të zbulojë identitetin e saj si parti në pushtet dhe të paraqesë një program konkret, ndërsa LDK dhe PDK vazhdojnë të luftojnë për rritje dhe rikuperim në këtë garë të tensionuar.
….
Kështu, Kosova po futet në fazën më të ‘nxehtë’ të fushatës, ku dinamika pritet të intensifikohet edhe më shumë. LVV mbetet të zbulojë identitetin e saj si parti që garon nga pozita e pushtetit, por sidomos, jashtëzakonisht me rëndësi, të zhvillojë, finalizojë dhe prezantojë programin, projektin dhe ofertën e saj për zgjedhje. Nga ana tjetër, LDK duket se po arrin kulmin e aktiviteteve dhe po tregon ambicie dhe dëshirë, por ka një bazë të ulët nga zgjedhjet e vitit 2021. Ndërkohë, PDK, e cila ka një elektorat tradicional të konsoliduar, është në një situatë ku procesi në Hagë po interferon me fokusin dhe dinamikën e saj gjatë fushatës.
Në fund, gjithçka po shkon sipas planit dhe pritshmërive. Duket se natyralisht LVV po shkon drejt një korrektimi të shëndetshëm, një tkurrje, për të cilën ende nuk dihet se ku do të ndalojë… LDK duket se do të jetë partia me rritjen më të lartë, por që ironikisht nuk do të mjaftojë aq sa ka dëshirë dhe ambicie. Ndërsa PDK po kthehet rreth mesatares tradicionale dhe ka gjasa të mira të jetë partia vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme, qoftë në rastin e formimit të qeverisë nga LVV apo nga opozita.