Zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Shkodran Hoti, ka thënë se në takimin me LDK-në është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike. Ai me këtë rast ka bërë të ditur se pjesë e takimit kanë qenë Visar Ymeri, Albin Kurti, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri, shkruan “Zeri.info”.
“Po, ka pasur një takim mes përfaqësuesve të ‘Vetëvendosjes’ dhe atyre të LDK-së. Më saktë kryetari Visar Ymeri e kandidati për kryeministër, Albin Kurti, janë takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarin Lutfi Haziri. Diskutimi ka qenë mbi zhvillimet e fundit dhe situatën politike dhe normalisht zgjedhjet dhe rezultatin e tyre”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Ndërkohë ka bërë të ditur se mes këtyre dy subjekteve do të ketë sërish takime.
“Nuk mund të flasim tani për takimin e ardhshëm, e aq më pak për vendin e kohën. Besojmë që do të ketë prapë takime, kurse koordinimi bëhet mes palëve dhe në kohën e duhur”, ka shtuar ai.
Hoti tutje i ka bërë thirrje sërish LDK-së për t’iu bashkuar “Vetëvendosjes” në mënyrë që PDK-ja të ngelet në opozitë.
“Është herët që qysh tani të konstatojmë për një marrëveshje të tillë. Ne kemi shprehur interesim për këtë marrëveshje, sepse e shohim domosdoshmëri që t’ia pamundësojmë PDK-së të jetë tutje në ekzekutiv, e rrjedhimisht ta ketë mundësinë ta vazhdojë kapjen e shtetit. Ne besojmë që do të jemi ata që do ta formojmë Qeverinë dhe e ftojmë prapë LDK-në që të na bashkohen në këtë betejë për t’i dhënë fund një qeverisjeje që ka mendësi kriminale e shtet rrënuese”, ka potencuar ai.